Gashi: “Arbëreshët dëshmi e gjallë se nuk ka pushtues të mirë”

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, mbajti një fjalim në seancën e veçantë të Kuvendit, për nder të Arbëreshëve të Italisë.

Lajme

03/05/2019 16:49

Gashi në emër të qeverisë së Kosovës, u uroi mirëseardhje miqëve bashkombas nga Italia.

Zv.kryeministri Gashi, fjalimin e nisi me faktin se si erdhi ideja për t’i ftuar Abëreshët e Italisë, për ta vizituar Kosovën.

Tha se këtë e kishte bërë pas një vizite të vitit të kaluar, së bashku me zv.kryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e qeverisë shqiptare, Pandeli Majko.

“Jam shumë i nderuar dhe i emocionuar, që t’ju uroj mirëseardhje sot këtu, juve miq dhe bashkëkombas nga Italia, në emër të Qeverisë së Kosovës. Gjate vizitës që kishim vitin e kaluar bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Majko, lindi idea që t’i ftonim kryetarët e komunave arbëreshe të Italisë, në vizitë në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ministri Gashi u shpreh se më herët mendonin se në Itali janë vetëm 15 komuna arbëreshe, por kur filluan përgatitjet që ata të vinin në Kosovë, doli që ai numër të jetë trefish më i lartë.

Dhe për këtë fakt, Gashi tha se ndihet i lumtur dhe krenar, por më i lumtur është treguar me faktin që ministria që ai drejton arriti ta organizojë vizitën e Arbëreshëve në Kosovë.

“Atëherë ne mendonim se janë gjithsejt jo më shumë se 15 komuna arbëreshe në Itali. Por kur filluam përgatitjet bashkë me Rosarijon, doli që ky numër të jetë trefish më i madh dhe për ktë jemi jashtëzakonisht të lumtur e krenar, që kaq shumë komuna banohen dhe qeverisen nga motrat dhe vëllezërit tanë arbëresh. Po aq i lumtur jam, që takimin e parë të këtij lloji, pothuajse të gjithë kryetarve arbëresh, të organizohet nga ministria ime dhe këtu në Prishtinë, në kuvendin e Kosovës”, shtoi ministri Gashi.

Ministri i Diasporës, para Arbëreshëve e kujtoi eksodin e 1 milion shqiptarëve gjatë vitit 1999, duke thënë se edhe para 500 vjetësh, stërgjyshërit e tyre, kishin qenë të detyruar që t’i lëshojnë tokat e tyre.
Me këtë rast Gashi tha se Arbëreshët e Italisë, janë shembulli më i mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa i kritikoi të gjithë ata që thonë se “Perandoria Osmane ka qenë pushtetuese e mire”.

“Të dashur bashkëkombas, ne sivjet shënuan 20 vjetorin e eksodit të mëse 1 milion kosovarëve në vitin 1999. Ky kujtim medoemos na kthen mrapa në eksodin që e përjetuan stërgjyshërit e juaj, mbi 500 vjet më parë, kur ata u detyruan të braktisnin tokat e tyre, të ballafaquar me një pushtues poaq brutal e i pamëshirshëm, sic u ballafaquam ne 20 vite më parë.

“Sot ka të atillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues të cilin këta pretendojnë që ishte një “pushtues i mirë”. Ju jeni shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Se sigurisht paraardhërsit tuaj nuk ikën nga të mirat që solli ky pushtues, por nga dhuna, shtypja e terrori që u ushtrua mbi ta”, ka thënë Gashi.
Zv.kryeministri shtoi se ishte pikërisht pushtimi osman që i shkëputi shqiptarët shpirtërisht dhe fizikisht nga Evropa.

“Pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa. Ju arbëresh të Italisë, duke qene pjesë e civilizimit evropian, ishit pishtarët e rilindjes kombëtare duke u bashkuar me bashkëmendimtarët pro-evropian në Shqipëri, për të shliruar toka shqiptare dhe rikthyër popullin tonë në familjen evropiane”.

Në fund të fjalimit, zv.kryeministri dhe njëherësh ministër i Diasporës dhe Planifikimeve Strategjike, nën organizimin e të cilit u zhvillua vizita e Arbëreshëve të Italisë në Kosovë, iu drejtua atyre, duke iu thënë se janë pikërisht ata që edhe sot janë ura lidhëse e popullit shqiptar me civilizimin evropian.

Gashi u shpreh se shumë shpejt ëndrra e Skenderbeut do bëhet realitet, “edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”.

“Edhe sot, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ju jeni ura lidhëse e popullit tonë me civilizimin evropian. E për këtë falenderojmë popullin mik italian dhe institucionet e këtij vendit, që mundësuan që me shekuj ju ta ruani gjuhën, kulturën dhe kishën tuaj të pavarur arbëreshe. Shumë shpejt, ëndrra e Skënderbeut do të bëhet realitet e edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”, ka përfunduar Gashi.