Garë e ngushtë për Istogun

6:51 | 29 Tetor 2013

zgjedhjet

Grupi i analistëve dhe gazetarëve të mbledhur nga Instituti D4D ka ardhur në përfundim që Rugova i LDK’së dhe Kadaj-Bujupi e AAK’se duhet të shkojnë në balotazh në Komunën e Istogut.

SERI EDITORIALESH QË NXJERRIN KANDIDATËT MË ADEKUATË PËR KRYETAR

[infobox style=’regular’ static=’1′]

Duke diskutuar dhe analizuar secilin kandidat, të kaluarën e tyre, premtime, performancën në debate, cilësinë e porosive dhe programit të tyre, një grup analistësh dhe gazetarësh kanë krahasuar ata dhe kanë nxjerrë kandidatin më adekuat.

Dëshirojmë të inkurajojmë opinion-formuesit që të diskutojnë haptazi performancën dhe të jenë më të guximshëm në kritikat apo lëvdatat e politikave dhe kandidatëve që proklamojnë ato, përkundër frikës se dikush mund të na akuzojë për anim.

Kemi ndërmarrë disa mënyra për të zvogëluar rrezikun e animit: përfshirje e gjerë të analistëve, shqyrtim të detajshëm të epërsive dhe dobësive të kandidatëve, votimi veç e veç për 10 kritere, dhe kërkimi i konsensusit përfundimtar se cili do të ishte kryetari më i mirë.

Emrat e analistëve dhe gazetarëve që ishin pjesë të këtij diskutimi do të publikohet në përmbyllje të kësaj serie të shkrimeve. Artikulli gjithashtu mund të gjendet në web faqen e Institutit D4D që koordinon këtë proces (

Teuta Hasanit të AKR-së si përparësi ju vlerësua plani i pasur dhe konkret për komunën, si dhe prezantimi i shkathtë i saj. Si mangësi është vlerësuar fakti se nuk ka përvojë në qeverisje, shpeshherë është treguar jobindëse dhe nuk i ka sfiduar bashkëbiseduesit.

Tek Shasivar Haxhijaj është vlerësuar pozitive fakti se në zgjedhjet e kaluara lokale ka treguar kulturë politike, duke ia uruar kundër-kandidatit të atëhershëm (dhe të tanishëm), Haki Rugova, fitoren. Tek ai plus është konsideruar edhe fakti se ka njohuri të bollshme për infrastrukturën rrugore, dhe ka kontribuar për këtë qytet edhe sa ka qenë pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës duke sjellë projekte konkrete të cilat edhe i ka implementuar në bashkëpunim me komunën.

Programet e përafërta të kandidatëve

Gjatë analizës së fokusit të kandidatëve, dmth., të fushave ku do të përqendrohej fituesi, është vërejtur se përjashtim nga tre të tjerët ka bërë kandidati i LDK-së, Rugova, ndërkaq, kandidatët tjerë pak a shumë kanë pasur qëndrime të përafërta. Dinamizimi i zhvillimit ekonomik, diasporë, impianti i ujërave të zeza për tërë komunën, si dhe ruajtja e pyjeve, janë pikat ku Rugova ka thënë se do të përqendrohet, gjatë mandatit të ardhshëm nëse do të fitojë.

Më e gjerë sesa Rugova në fusha të caktuara është parë kandidatja Kadaj-Bujupi, e cila vazhdimisht ka folur për investime në kanalizime, në trotuar, në rrugë, në ujësjellës që do të kushtojë njëzetetre milion euro, në ujitje për toka bujqësore, si dhe në krijimin e një zyre investuese. Kandidatja e AAK-së gjithashtu ka folur edhe për sigurimin e garancioneve bankare për investime të bizneseve, për pavarësim të Hidrodrinit nga Peja, si dhe ka njoftuar se nëse fiton zgjedhjet në Istog, Banja e Pejës do të lirohet nga të gjitha taksat.

Fokus pothuajse krejtësisht të njëjtë me Kada-Bujupin ka shfaqur edhe kandidati i PDK-së, Haxhijaj. Ai premtoi ujë të pijes për pesëmbëdhjetë fshatra, ujitje të tokave bujqësore, organ konsultativ me biznese për plane zhvillimore, investime në bujqësi, përkrahje nga qeveria qendrore, zyrё për turizëm, përqendrim në infrastrukturë  rrugore”, është përqendrimi i Haxhijajt. Ndërsa, kandidatja e AKR-së, Hasani, është përqendruar në infrastrukturë konkrete, duke folur edhe për ndërtimin e disa fabrikave, e ka potencuar mbrojtjen e ambientit dhe trashëgimisë kulturore, përkrahjen për biznese të vogla, për turizëm, bujqësi e blegtori si dhe hapjen e tremijë vendeve të lira punës.

Rugova e Kadaj me rezultat të përafërt

Dy kandidatët më serioz për të drejtuar në mandatin e ardhshëm Komunën e Istogut, kandidati i LDK-së Haki Rugova, dhe ajo e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në pyetje të pyetësorit janë notuar ndryshe njëri-nga tjetri, por kjo “ndryshe” megjithatë ka prodhuar një rezultat final shumë të përafërt.

Konkretisht, tek notimi për “performancën në debat” Kadaj-Bujupi është vlerësuar për një nuancë më mirë sesa Rugova, ndërkaq, tek “përvoja në qeverisje dhe njohuri e qeverisjes lokale”, Rugova ka dalë dukshëm më mirë, gjegjësisht, ka marrë më shumë  pikë sesa kundërkandidatja e saj. Edhe tek “fuqia brenda partisë” Rugova ka dalë dukshëm më mirë sesa Kadaj-Bujupi. Atij i ka ndihmuar veçanërisht fakti se është nënkryetar i partisë në nivel qendror, që rrit gjasat që komuna të ketë vëmendje dhe përkrahje më të madhe nga subjekti.

E kundërta ka ndodhur tek pika “kontributi në raport me komunitetin, si dhe integritet personal”, ku Kadaj-Bujupi dukshëm është dalluar nga Rugova, ngase, analistët dhe gazetarët janë bazuar në faktin se ajo shpeshherë ka ngritur zërin në Kuvendin e Kosovës në raport me hallet e qytetarëve në zona të caktuara të Kosovës, veçanërisht për ata të Komunës së Istogut, të cilët shpesh janë prekur nga fatkeqësitë natyrore.