Fushatë Farsë

Jusuf Buxhovi e quan farsë fushatën zgjedhore. Ai thotë se nga një fushatë e tillë s’mund të pritet asgjë e mirë, pos që grupet e ndryshme mafioze-politike të vazhdojnë të forcojnë pushtetet e tyre, në feudet, siç thotë ai, që tashmë mbikëqyrin.

Lajme

21/10/2013 06:03

Sallat e sporteve në Kosovë janë shndërruar në arenë të garës elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ato janë zbukuruar me balona e pankarta dhe janë mbushur me premtime të pretendentëve për kryetarë komunash dhe të forcave politike, që qëndrojnë pas tyre.

Pjesë të garës janë bërë edhe qytetarët, si spektatorë të kësaj shfaqjeje elektorale, e cila po vlerësohet negativisht nga analistët politikë.

Shkrimtari dhe analisti Jusuf Buxhovi thotë për lajmi.net se, për fat të keq, kjo nuk është kurrfarë fushate zgjedhore.

“Kjo është një farsë, që rrënon besimin te demokracia dhe parlamentarizmi si mjet i saj, gjë që për pasojë mund të ketë abstenimin e madh të qytetarëve prej saj dhe mbetjen në të vetëm të të instrumentalizuarve, të cilët i duhen kësaj farse për ‘legjitimitet’.

Buxhovi thotë se fushata e sivjetme elektorale dallon për të keq nga fushatat e tjera paraprake. Dhe për këtë, ai numëron disa arsye.

“Dallon për të keq, pra të stërkeqjes së skajshme, ku në njërën anë kemi shfaqjen e spekulantëve të cilët në nivel të qeverisjes së vendit kanë bërë abuzime të shumta, që shkojnë edhe deri te bankrotimi i shtetit, dhe në tjetrën anë kemi ‘kapot’ vendorë, ose komunalë, të cilët, edhe pse përballën me probleme të shumta (disa madje edhe nëpër burgje) drejtojnë fushata!”.

“Nuk  mund të pritet asgjë e mirë nga një fushatë e tillë, pos që grupet e ndryshme mafioze-politike të vazhdojnë që të forcojnë pushtetet e tyre në feudet që tashmë mbikëqyrin!”.

Një nga betejat kryesore, mes forcave më të mëdha politike, po zhvillohet për Kryeqytetin.

Jusuf Buxhovi ka një shpjegim për dallimin e vogël që ai e sheh mes garës për Prishtinën dhe garës që po zhvillohet në komunat tjera.

“As Prishtina nuk bën përjashtim nga ajo që po ndodh në nivel të vendit”.

“Këtu farsa shfaqet me njëfarë mimikërie paksa ‘më të kulturuar’, ngaqë për ndryshim prej strukturave provinciale ku despotët vendorë drejtojnë dhunshëm votat, këtu janë ‘në lojë’ disa klane ‘intelektuale’, të cilat kërkojnë haraç më të madh nga vasaliteti politik!”.