Fushata milionëshe

PDK pret që ta mbyllë fushatën elektorale me rreth 800 mijë euro, LDK me 500 mijë, AAK me 250-300 mijë dhe Vetëvendosje me 255 mijë euro. Të paktën zyrtarisht, këto janë shpenzimet e deklaruara për këtë fushatë. Por, ndryshe deklarojnë monitoruesit.

Lajme

06/10/2013 09:40

Shpenzimet e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e 3 nëntorit, pritet të janë disa milionë euro. Forcat kryesore politike edhe sivjet kanë investuar shuma të mëdha për fushatat e tyre elektorale, të cilat duket se janë shumë më intensive në krahasim me fushatat e kaluara.

Por sa kanë planifikuar të shpenzojnë partitë kryesore  politike në këto zgjedhje?

Në deklarimet e tyre zyrtare, të gjitha, pa përjashtim, pohojnë se do të respektojnë kuotën e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që është50 centë për votues.

Zëdhënësit i PDK’së, Blerand Stavilecit, ka thënë për ‘Kosova Sot’ se ky subjekt politik do të sillet strikt konform rregullave që i ka përcaktuar KQZ për shpenzimet e partive politike.

“Ne besojmë dhe po punojmë si PDK që ta respektojmë normën e shpenzimeve për partitë politike, që e ka përcaktuar Komisioni Qendror Zgjedhor për afro 1,7 milion votues”.

“50 centë për votues, ky është limiti, i cili duhet të respektohet nga të gjithë”.

“Besoj se PDK do të mund ta përmbyllë këtë fushatë zgjedhore me rreth 800 mijë euro shpenzime”.

Përgjegjësi për financa në LDK, Lutfi Zharku, thotë për gazetën se kjo parti mundohet të jenë racionale në shpenzime e saj.

“Ne mundohemi që të mos e tejkalojnë kufirin maksimal që mund t’i lejohet LDK’së deri në 800 mijë euro, sipas përqindjes së përcaktuar me rregullën e KQZ’së”.

“LDK  mund të mbetet për 300. 000 euro nën kuotën e shpenzimeve të lejuara, sepse aktivistët e këtij subjekti politik po punojnë votues për votues që t’i bindin për zgjedhjet e kësaj vjeshte dhe jo që ata të joshen me reklama të shtrenjta, që i kushtojnë buxhetit të shtetit”.

Zyrtari financiar në AAK, Valon Tolaj, thotë se ky subjekt politik nuk do të shpenzojë as sa gjysma e 800 mijë eurove të lejuara nga KQZ’ja.

“Nuk besoj që Aleanca do t’i tejkalojë shpenzimet e përtej 250 – 300 mijë eurosh në totalin e përgjithshëm në garën për të gjitha komunat” .

Lëvizja Vetëvendosje pohon se fokusi kryesor i tyre është përqendruar në shpenzime te komisionarët.

“Ne kemi bërë një planifikim buxhetor, të cilin e kemi aprovuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të përgjithshëm, me të cilin parashikohet se do të na duhet të harxhojmë rreth 255 mijë euro”.

Në një hulumtim të Institutit Demokratik të Kosovës, të bërë në vitin 2001, është evidentuar se gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, PDK është subjekti politik i cili ka shpenzuar më së shumti, dhe atë 1,004,814 euro, duke tejkaluar maksimumin prej 815,318 euro të caktuar nga KQZ. LDK renditet e dyta me 608,037 euro, AKR e treta me 553,738 euro, pastaj AAK me 459,521 euro, LDD me 140,186 euro dhe Vetëvendosje me 105,017 euro.

Sipas KDI’së, shumat e deklaruara në KQZ nuk përkojnë me shumat të cilat ky Institut ka arritur t’i sigurojë gjatë monitorimit të shpenzimeve të fushatës parazgjedhore 2010.