Frikë brenda Koresë Veriore
Koreja e Veriut po shënon përvjetorin e dytë të vdekjes së liderit Kim Jong, në një situatë të tensionuar, pak ditë pas ekzekutimit të një zyrtari të lartë në këtë vend, që ishte burri i hallës së liderit të ri, Kim Jong-un.

Lajme
Pamje nga Pyongyang treguan radhët e mijëra zyrtarëve në një ceremoni për të përkujtuar liderin e vdekur dy vjet më parë, Kim Jong.
Djali i tij, Kim Jong-un, ka trashëguar udhëheqjen pas vdekjes së tij në vitin 2011.
Javën e kaluar ai urdhëroi ekzekutimin e Chang Song Thaek,që ishte burri i hallë e tij dhe që shihej si një figurë e fuqishme nga vëzhguesit.
Chang u akuzua për krime të shumta, thotë media shtetërore, duke përfshirë përpjekjet për të përmbysur shtetin.
Të hënën, sekretari i përgjithshëm i OKB’së, Ban Kim-Moon e përshkroi ekzekutimin e tij si “shumë dramatik dhe të habitshëm”.
Ai kërkoi nga vendet rajonale “të jenë më shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm në shikimin e situatës se si po zhvillohet, për të mos marrë masa të parakohshme”.
Banorët vunë lule në monumentet e të dyve, Kim Jong-il, dhe babait të tij Kim ll-Sung, liderit të parë të Koresë Veriore.
Kim Jong-il, i cili sundoi Korenë Veriore për gati dy dekada, vdiq më 17 dhjetor 2011.
Të martën, djali i tij i tretë dhe pasardhësi i tretë, Kim Jong’un, mori pjesë në një ceremoni për të kujtuar të atin.
Udhëheqësi i ri kishte veshur rroba që shprehnin zymtësi, njofton reportere e BBC’së nga Seul, Luci Williamson.
Ajo thotë se ceremonia e mbajtur në një sallë të madhe për udhëheqësin aktual ishte po aq e mbushur sikur në të vjetrin.
Kim Jong-un u ul në podium, i rrethuar nga krerët e Koresë Veriore, Kim Yong-nam, dhe kreu i ushtrisë.
“Të gjithë njerëzit tanë dhe ushtarët kanë luftuar dhe arritur fitore për dy vitet e fundit duke mbajtur udhëheqësin tonë të madh (Kim Jong-il) në nderim të lartë”, tha Kim Yong-nam në fjalën e tij.
Të hënën mijëra ushtarë të Koresë së Veriut u rreshtuan përpara mauzoleut të shtetit për t’u betuar për besnikërinë e tyre për Kim Jong-un.
Presidenti i Koresë së Jugut, ndërkohë, zhvilloi një takim me zyrtarë të lartë të sigurisë duke paralajmëruar “provokime” të mundshme nga Korea e Veriut në prag të spastrimit të z.Chang dhe ndihmësve të tij.
Rënia e papritur e tij nga hiri dhe ekzekutimi i shpejtë kanë ndezur frikë dhe paqëndrueshmëri brenda Koresë së Veriut.
Z.Chang, i cili ishte i martuar me motrën e madhe të Kim Jong, kishte lehtësuar transferimin e pushtetit nga i ati tek i biri dy vjet më parë.
Ai gjithashtu besohej gjerësisht se ishte njeri me shumë ndikim në prapaskenë.
Po Halla ku është?
Ajo është bija e diktatorit të parë të Koresë së Veriut, motra e pushtetarit të dytë, halla e sundimtarit të tretë: Bëhet fjalë për Kim Kyong- hui, 67 vjeç.
Por pas ekzekutimit të bashkëshortit të saj, nuk është dëgjuar më për gjeneralen.
Ka shumë spekulime për të. A mos është ekzekutuar? Apo nuk shkon diktatori i ri kaq larg?
Por ka edhe të dhëna të tjera se pavarësisht ekzekutimit të të shoqit, ajo vazhdon të jetë e fuqishme politikisht, pasi është vendosur si përfaqësuese e regjimit në komunitetin organizator për varrimin e një funksionari të lartë të partisë.
Një revistë e përshkruan atë njësoj si vëllai i saj, e pakompromis dhe hakmarrëse e tmerrshme.
Thuhet se ajo jetonte ndaras me të shoqin prej kohësh, pasi ai e tradhtonte vazhdimisht.
Çifti u njoh në vitin 1972 dhe pavarësisht kundërshtimeve të babait, ajo u martua me të.
Ka po ashtu spekulime se 67- vjeçarja është sëmurë dhe po kurohet në Singapor.
Të tjerë thonë se ajo ka probleme me alkoolin.
Historia e jetës së saj është e mbushur me lajme të rënda.
Ajo del rrallë në publik.
Thuhet se njëherë pati pësuar një aksident gjatë një tërmeti.
Vajza e saj e vetme, që gjendej në Paris, kaloi një krizë nervore, pasi prindërit nuk ia pranonin të dashurin.
Në vitin 2010, ajo u shpall gjenerale me katër yje.
Një detaj pikant: Ajo është pronarja e të vetmit restorant të ushqimit të shpejtë në kryeqytet. Por termi ‘hamburger” nuk përdoret, sepse quhet i huaj.