Francës i nevojitet mrekullia në Botëror

Didier Deschamps mendon se Francës i nevojitet mrekullia, për ta fituar Botërorin. Trajneri francez është realist dhe thotë se disa ekipe janë shumë më përpara ‘Trekolorëve’.

Sport

27/05/2014 18:43

Didier Deschamps thotë se do të ishte mrekulli nëse Franca do ta fitonte Botërorin në Brazil.

Les Blues nuk e kaluan as fazën e grupeve në Afrikën e Jugut në vitin 2010, ndërsa pati kampanjë dështuese edhe në Evropianin 2012.

Gjithashtu, francezët nuk arritën ta siguronin kualifikimin direkt për Botëror, por iu desh ta mposhtnin Ukrainën në barazh, për ta prerë një biletë për Brazil.

“Po shkoj në Brazil me ambicie të mëdha, por jam realist, po ashtu”, deklaroi fillimisht 45 vjeçari në konferencë për shtyp.

“Janë vende që janë shumë më të mira se ne në letër. Nuk mund ta fshehim të vërtetën. E vetmja ndeshje që Franca e kishte fituar në fazën e grupeve në Botëror në 12 vjetët e fundit ishte ajo ndaj Togos, në vitin 2006”, vazhdoi ai.

“Nuk mund të flas rreth triumfit në Botëror. Ka shumë ekipe përpara nesh, përfshirë edhe ekipin që e fitoi Botërorin dhe Evropianin e fundit. Për ta fituar ne, do të thoshte mrekulli”, përfundoi Deschamps.