Fletëvotimet të numërohen në Mitrovicën e Veriut

Kërkesa për numërim të fletëvotimeve në Mitrovicën e Veriut i ka bërë bashkë Krstimir Panticin dhe Oliver Ivanovicin. Ata këtë e kërkojnë nga KQZ. Thonë se kjo është në të mirë edhe të KQZ’së. Por mund t’i sjellë telashe OSBE’së.

Lajme

29/11/2013 08:42

Dy rivalët në garën për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic dhe Oliver Ivanovic janë bërë bashkë dhe i kanë dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë të vetme: që fletëvotimet e zgjedhjeve të së dielës të numërohen në vendvotime, e jot ë barten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë.

Për shkaqe sigurie, KQZ më 17 nëntor kishte miratuar kërkesën e KQZ’së që kutitë e tri qendrave të votimit të barten për t’u numëruar në QNR.

Ky vendim kishte mllefosur Krstimir Panticin e “Listës Serbe” i cili madje kishte kërcënuar se nuk do t;i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

Në letrën të cilën Tanjug raporton ta ketë parë, theksohet se votimi më 17 nëntor ka kaluar në qetësi, pa asnjë incident dhe pa kundërshtime nga përfaqësues të vendvotimeve apo nga qytetarët. Në letër thuhet se rregullsia e këtyre zgjedhjeve u vu në pikëpyetje për shkak të vendimit që materialet e votimit të barten në Prishtinë për numërim të fletëvotimeve.

Dy kandidatët kanë thënë se duan që zgjedhjet e 1 dhjetorit të kalojnë në mënyrë të qetë.

“Ju drejtohemi në emër të subjekteve tona me kërkesën që KQZ të marrë vendim që numërimi i fletëvotimeve të bëhet në vendvotime, dhe pas kësaj materiali të dërgohet për shqyrtim në KQZ nëpërmjet OSBE’së”, thuhet në këtë letër.

Sipas Pantic dhe Ivanovic, në këtë mënyrë do të pamundësohej që të ngriten dyshime për rregullsinë e procesit zgjedhor i cili është, sic thuhet, edhe në interes  të KQZ’së.

Zëdhënësi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Nikola Gaon ka thënë për Tanjug se vendimin për mosnumërim eventual të fletëvotimeve në vendvotime mund ta marrë vetëm KQZ në harmoni me vlerësimet e situatës së sigurisë.

Ai ka thënë se më 3 dhe 17 nëntor, OSBE ka vepruar në bazë të vendimeve të KQZ’së që materiali votues të bartet në QNR.