Fjalët e korruptuara
Ne jemi ngujuar në debatin e vazhdueshëm dhe aspak produktiv për korrupsionin, reformën dhe integrimin në BE.
Opinion
Nuk kalon as një ditë e vetme në Kosovë pa u dëgjuar tri fjalët e pashmangshme të politikës dhe të shoqërisë sonë: Korrupsion, Reformë, Integrim (në Bashkimin Evropian).
Fjalët dhe dukuritë tjera shkojnë e vijnë në këtë ambientin tonë të rrëmujshëm politik dhe mediatik.
Këto mbeten aty. Këto madje kanë lëshuar rrënjë, (si thuhet), ndërsa domethënia e mirëfilltë e tyre, pikërisht spikat lëvizshmërinë e këtyre nocioneve dhe dukurive.
Kështu si janë sot, këto tri fjalë janë më të korruptuarat në përditshmërinë kosovare, sepse aktualisht, mbase askush nuk e di kuptimin e tyre, dhe askush nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë me to dhe me ne, në muajt dhe vitet e ardhshme.
Korruptimi i tyre pra këtu ka domethënien e zhvendosjes së domethënies së tyre (nga ajo e mirëfillta, tek ajo e përdorura në kontekstin e betejës së vazhdueshme për pushtet politik dhe ekonomik në Kosovë, në të gjitha rrafshet e mundshme), të aplikimit të tyre aq të shpeshtë dhe aq të kotë, të shfrytëzimit të tyre vend dhe pa vend, dhe gjithsesi, të mosarritjes së objektivave që përkojnë me këto tri dukuri.
Si qëndrojnë punët tek ne, mund të imagjinojnë, me saktësi të madhe, që ta zëmë, në dhjetorin e vitit 2014, apo edhe në atë të vitit 2018, ne tutje do të çajmë dërrasa duke folë për korrupsionin, reformën, integrimin.
Natyrisht, shoqëria dhe politika i kanë ligjet e veta (të pashkruara), dhe nëse nuk udhëhiqen si duhet prej qeverive të mandatuara për këtë gjë, ato zhbëjnë një organizim politik dhe krijojnë rrethana kur duhet aplikuar ndryshimet rrënjësore, të cilat realisht, po aq sa janë të domosdoshme, nuk janë fort të shëndetshme për qëndrueshmërinë afatgjatë të një shteti. E Kosova edhe ashtu, për shkaqe fort mirë të njohura, tutje ka deficit të theksuar politik, diplomatik (ndërkombëtar) dhe ekonomik që shfaqet si kërcënim i mëtejmë për këtë qëndrueshmëri.
Qytetari i rëndomtë i Kosovës, në rrethanat e sotme, nuk merr vesh gjë kur përditë dëgjon fjalët që përkojnë me reformat në vend, qofshin ato reforma të sistemit gjyqësor, të administratës publike, të sistemit arsimor, të zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme, apo ciladoqfshin ato reforma.
Qytetari mesatar i Kosovës, si qëndrojnë punët tani, nuk beson fare që korrupsioni do të goditet në vend, që të korruptuarit do të ndëshkohen si duhet, dhe që shoqëria kosovare mund të funksionojë pa këtë dukuri të përmasave të udhëheqjes me vendin.
Qytetari i zakonshëm i Kosovës, ka nisur të humbë shpresën që do të mund të udhëtojë së shpejti në shtetet e BE-së pa viza, ndërsa ky është ai rezultati i parë, më i matshëm, më i prekshëm, i integrimit të Kosovës në BE. Sa për përfitimet e tjera nga ky proces, ai di fare pak gjë, dhe ai mendon që kjo temë i takon thuaja kryekëput udhëheqësisë politike të Kosovës.
Gjërat do të duhej të ishin në fakt ndryshe, krejtësisht ndryshe në shoqërinë kosovare, kur dihet se kush ka qenë krejt përgjegjës në Kosovë, që prej qershorit të vitit 1999 e këndej.
Një herë vendi është udhëhequr prej një Administrate Ndërkombëtare (UNMIK-ut), e cila që prej ditës së parë ka përfshirë edhe BE-në si të tillë. Pastaj, BE-ja ka vazhduar të luajë rolin kryesor përbrenda modelit të mbikëqyrjes së pavarësisë (deri në shtatorin e vitit 2012), në kuadër të ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare). Më në fund, BE-ja ende ka një detyrë shumë të rëndësishme në Kosovë, në kuadër të Misionit të EULEX-it.
Në teori pra, kur dihet që ndërtimi, një herë i Kosovës demokratike, pastaj, i shtetit të Kosovës, ka nisur prej zeros (në vitin 1999), dhe kur të kihet parasysh se çfarë ndërmarrje ndërkombëtare ka qenë Kosova, me një rol të dorës së parë të BE-së, ne sot nuk do të duhej fare të flisnim për reformat, për korrupsionin dhe për integrimin (në BE), së paku jo në këtë mënyrë si bëjmë sot e gjithë ditën.
Fakti që ne kemi ngecur në këto tri nocione, është një dëshmi e gabimeve të shumta që janë bërë në Kosovë, dhe ku hisja vendore dhe ajo ndërkombëtare, mbase janë të barabarta.
Por, hisja e pagesës së llogarive politike dhe ekonomike të shoqërisë kosovare nuk është fare e barabartë. Ajo paguhet e tëra prej nesh, pa marrë parasysh se kush sa ka kontribuar, në vitet e kaluara, për të mbërri në stadin kur jemi ngujuar në debatin e vazhdueshëm dhe aspak produktiv për korrupsionin, reformën dhe integrimin.
Sikur gjërat në një shoqëri do të lëviznin para me fjalë dhe me debat, ne moti do të ishim shtet i suksesshëm.
(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)