‘Fiks Fare’ për tregun e barnave në Kosovë

Tregu i barnave në Kosovë është përqendruar në duart e drejtuesve të institucioneve të shëndetësisë. Emisioni investigativ “Fiks Fare” solli fakte se si funksionon ky treg në Kosovë.

Lajme

26/09/2013 11:27

Gazetarët e “Fiks Fare”, të cilët u prezantuan si përfaqësues të një kompanie farmaceutike shqiptare që donte të hynte në tregun e Kosovës, u takuan me vëllain e kreut të Agjencisë Kombëtare të Produkteve Medicinale në Kosove, i cili ka në pronësi kompaninë farmaceutike “Delta”.

Në bisedë me gazetarët e “Fiks Fare”, ai ju siguron mbështetjen për mbarëvajtje e biznesit duke theksuar se ai ka të “madhin” e AKPM’së, të cilin e ka vëlla, transmeton Tema.net.

Vëllai i kreut të AKPM’së tregon edhe projektet që kanë për të ardhmen, kur do të fillojë të hyjë në fuqi kontrata e rimbursimit të barnave.

Duke folur në emër të kreut të AKMP-së, ai u siguron gazetarëve të “Fiks Fare” tregun në Kosovë.

Pas bisedës me të, gazetarët e “Fiks Fare” takuan vetë kryetarin e AKPM-së, Ilir Dushi.

Gjatë intervistës, Dushi rendit detyrat që ka institucioni i tij në rregullimin e tregut të barnave në Kosovë dhe tregon se një vendim i Ministrit të mëparshëm të Shëndetësisë, ndalon që kreu apo punonjësit e AKPM’së të kenë farmaci, depo farmaceutike në pronësi apo të punojnë si farmacistë.

Kur e pyesin për farmacinë që disponon vëllai i tij, drejtori stepet, ngurron të flasë, por në fund thotë se kjo farmaci menaxhohet nga i vëllai.

Jashtë kamerës, drejtori i AKPM’së tregon se nuk është vetëm ai që ka lidhje familjare me pronarin e një depoje farmaceutike, pasi vetë familjarët e Ministrit të Shëndetësisë kanë në pronësi një tjetër depo të madhe farmaceutike në Kosovë, depon “Agani”.

Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kur e pyesin për lidhjen familjare që ka kreu i AKPM’së me pronarin e depos farmaceutike “Delta”, premton se do të fillojnë verifikimet, dhe nëse do të vërtetohet se do të ketë shkelje ligjore, do të merren masa.

Por kur e pyesin se çfarë lidhjesh ka me pronarët e depos farmaceutike “Agani”, ai shpjegon se kjo depo ka qenë në pronësi të xhaxhait të tij përpara se ai të bëhej ministër.

Në Agjencinë e Antikorrupsionit në Kosovë askush nuk ka dijeni për këto lidhje familjare të krerëve të institucioneve që kontrollojnë aktivitetet e depove farmaceutike me pronarët ligjorë të tyre.

Zyrtari i Agjencisë së Antikorrupsionit në Kosovë,.Frashër Myrtezaj thotë se do të shikohet si rast pasi nuk janë në dijeni të këtij fakti dhe më pas edhe ata do të ndjekin të gjitha hapat ligjore për të marrë masa në lidhje me këtë problem.