Ferizaj nis aksion për të ndihmuar tetovarët pas vërshimeve
Një aksion për grumbullimin e ndihmave për të prekurit nga vërshimet në Tetovë do të nisë edhe në komunën e Ferizajt. Zyrtarë komunal kanë njoftuar të enjten për formimin e një grupi punues që do t'i koordinoj veprimet për grumbullimin e ndihmave.

Lajme
Krahas kësaj ekzekutivi komunal ka planifikuar edhe ndarjen e një shume nga buxheti për këtë qëllim.I pari i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Burim Karameta, ka thënë se për shkak të gjendjes emergjente të krijuar nga vërshimet në Tetovë, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka vendosur që të formoj një grup punues që do të merret me grumbullimin e ndihmave.
“Për shkak të gjendjes aktuale mjaftë rënduese që po mbretëron në Tetovë nga vërshimet e fundit ku pati edhe humbje jete, kryetari I komunës së Ferizajt përmes DSHMS-së ka vendosur për formimin e një grupi punues i cili do të merret me grumbullimin e ndihmave”, ka thënë Karameta.
Aksioni i grumbullimit të ndihmave do të nisë sot me takime që do të zhvillohen me bizneset Ferizajase, me ç’rast parashihet që të mblidhen ndihma në veshmbathje, gjëra ushqimore, materiale higjieno-sanitare etj.
“Gjithashtu do të vendoset edhe për ndarjen e një buxheti nga komuna e Ferizajt, mjete të cilat do t’u shkojnë me urgjencë qytetarëve tetovarë”, theksoi Karameta, raporton Kosovapress.
Veç kësaj, një aksion për grumbullimin e ndihmave e ka paralajmëruar dje edhe këngëtari ferizajas, Labinot Tahiri-Labi, i cili sikurse herave tjera përmes kësaj forme po mendon t’iu del në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet.
Siç dihet ditë më parë nga të reshura në qytetin e Tetovës pati reshje të fuqishme shiu që shkaktuan vërshime me dëme materiale dhe humbje jete të disa banorëve të këtij lokaliteti.