Ferat Shala publikon zyrtarët që po mbajnë “detyra jofunksionale”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se të gjitha funksionet me ushtrues detyre, që nga sot janë jofunksionale. Deputeti Ferat Shala, në Facebook ka shkruar se këtë e konfirmon edhe ligji për zyrtarët publik, i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit. Sipas Shalës, Qeveria aktuale është duke punuar…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se të gjitha funksionet me ushtrues detyre, që nga sot janë jofunksionale.
Deputeti Ferat Shala, në Facebook ka shkruar se këtë e konfirmon edhe ligji për zyrtarët publik, i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit. Sipas Shalës, Qeveria aktuale është duke punuar jashtëligjshëm, dhe ka vlerësuar që vendimet e saj tanimë janë të pavlefshme.
Ai përmendi emrat dhe pozitat e ushtruesve të detyrës që sipas tij po i mbajnë këto pozita, tashmë jofunksionale.
Postimi i plotë:
Funksionet me Ushtrues Detyre – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
Kjo Ministri, por jo e vetmja, nga sot praktikisht ka dhjetra sektorë dhe departamente, pozita drejtorësh e agjencionesh, që janë jo funksionale.
Çdo vendimmarrje brenda këtyre institucioneve që mbajnë pozita “ushtrues detyre”, përkatësisht zëvendësues, nga sot janë krejt të paligjshme, sepse këtë e thotë Ligji NR.08/L-197 Për Zyrtarët Publik, Kapitulli III, Neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit.
Është e habitshme se si një Qeveri e tërë punon jashtligjshëm, e vendimet e kësaj Qeverie nga sot për të gjitha pozitat e lartcekura, janë të pavlefshme.
Për ta ilustruar këtë shembull të keqqeverisjes apo paaftësisë qeverisëse, më lejoni të ju permend një listë të “ushtruesve” në këtë Qeveri, përkatësisht në këtë Ministri:
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, ushtrues detyre,
Drejtori i Agjencisë së Mjedisit, ushtrues detyre,
Drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, ushtrues detyre,
Drejtori i Departamentit të Mjedisit, ushtrues detyre,
Drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ushtrues detyre,
Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, ushtrues detyre.
Shihni edhe një fakt të çuditshëm; në pozita shumë të larta, ka raste kur një zyrtar ka ushtruar pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pas një periudhe ka kaluar ushtrues detyre në Agjenci të Mjedisit, pastaj pas një periudhe tjetër prap është kthyer ushtrues detyre i sekretarit. Pra, kemi të bejme me ushtrues të shumëfisht, “ushtrues të ushtruesve” e manipulime të tilla.
Për më keq, ka pozita ku “ushtruesi” është emëruar kundërligjshëm, duke kapërcyer shume “shkallë” nga pozita e zyrtarit, në ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit.
Pse ndodh kjo?! – Arsyeja e vetme është që ata të jenë më të “dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm”, dhe rasti më ilustrativ për dëgjueshmërinë së tyre, është afera tashmë publike e Ambalazhuesve të Ujit.