​FBK dënon sulmin ndaj gjyqtarit Erzen Haxhani në Gjakovë

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas sulmit fizik ndaj gjyqtarit Erzen Haxhani, i cili ndodhi gjatë ndeshjes së mbrëmshme të ProCredit Superligës së Kosovës ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Sigal Prishtina, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Sipas Federatës, sulmi është kryer nga zyrtari i KB Vëllaznimi, Jeton Bakalli, duke…

Sport

15/02/2026 18:35

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas sulmit fizik ndaj gjyqtarit Erzen Haxhani, i cili ndodhi gjatë ndeshjes së mbrëmshme të ProCredit Superligës së Kosovës ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Sigal Prishtina, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Sipas Federatës, sulmi është kryer nga zyrtari i KB Vëllaznimi, Jeton Bakalli, duke u cilësuar si akt i rëndë dhune, i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e sportit dhe standardet e sjelljes institucionale, përcjell KosovaPress.

FBK ka theksuar se zbaton politikë të tolerancës zero ndaj çdo forme dhune ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke nënvizuar se siguria, dinjiteti dhe autoriteti i gjyqtarëve janë të panegociueshme.

Federata ka shprehur mbështetje të plotë për Shoqatën e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës dhe për të gjithë gjyqtarët, duke theksuar se çdo sulm ndaj tyre përbën sulm ndaj vetë basketbollit të Kosovës.

Rasti, sipas FBK-së, do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe do të pasojë me masa disiplinore të rrepta ndaj individëve dhe subjekteve përgjegjëse, në përputhje me rregulloret në fuqi. Federata ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi të plotë institucionale nga klubet për sjelljen e zyrtarëve të tyre.

“Pa siguri për gjyqtarët nuk ka garë të rregullt, nuk ka drejtësi sportive dhe nuk ka kampionat”, thuhet në reagimin e Federatës.

FBK ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e integritetit të garave dhe vlerave themelore të sportit.