Evropa me rregulla të reja për gomat

Bashkimi Evropian u dakordua për rregullat e reja në drejtim të përmirësimit dhe forcimit të etiketave të gomave, që mundësojnë kursim të energjisë ekuivalente me heqjen e 4 milionë automjeteve nga rrugët e BE-së çdo vit, njoftoi të enjten Komisioni Evropian.

Bota

15/11/2019 14:29

Marrëveshja politike u arrit midis Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit Evropian. Rregullat e reja duhet të miratohen zyrtarisht nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian. Aplikimi i këtij rregulli pritet të fillojë më 1 maj 2021.

“Duke kaluar në gomat më efikase të energjisë, qytetarët evropianë mund të ulin ndjeshëm konsumin e tyre të karburantit, duke kursyer para dhe duke ndihmuar mjedisin”, u citua të ketë thënë komisioneri për Klimën dhe Energjinë, Miguel Arias Canete.

Komisioni vuri në dukje se rregullat e reja i bëjnë etiketat e gomave më të dallueshëm, më shumë rezistuese në të ardhmen dhe më të sakta.  Midis viteve 2014 dhe 2017, konsumi i energjisë në transportin rrugor u rrit me 5.6 për qind, duke rritur emetimet e gazit serrë nga sektori i transportit.

Më tej Komisioni sqaroi se meqë rezistenca lëvizëse e gomave përbën 20 deri në 30 për qind të konsumit të karburantit të një automjeti, është thelbësore të ulet kjo rezistencë për të rritur efikasitetin e karburantit dhe për të zvogëluar emetimet.

“Kjo është rruga evropiane për sigurinë e vërtetë të energjisë dhe mbrojtjen e klimës: duke qenë më efikas në aspektin e energjisë në të gjitha fushat e jetës sonë, ne mund të zvogëlojmë faturat tona të energjisë dhe varësinë tonë nga energjia e importuar dhe e kushtueshme, pasi rritim konkurrencën industriale, krijojmë vende pune dhe e bëjnë ekonominë evropiane më të qëndrueshme”, shtoi Canete.