Eurodeputeti austriak: Heqja e vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka deklaruar se Kosova ka përmbushur tash e një kohë të gjatë kriteret për liberalizimin e vizave.

Lajme

25/11/2021 10:21

Përmes një postimi në Twitter, Mandl tha se liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme, transmeton lajmi.net.

“Në programin qeverisës të Gjermanisë në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord prej kohës dhe duhet mbështetje e plotë parlamentare”, shkroi ai.

Duhet përkujtuar që marrëveshja e koalicionit të tri partive gjermane që do të formojnë qeverinë e re federale ka përmendur liberalizimin e mundshëm të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në marrëveshje./Lajmi.net/