EULEX: Nuk është përdorur dhunë gjatë aksionit në veri
Misioni i EULEX-it thotë se në aksionin në fshatin Zubq të Zubin Potokut, nuk është përdorur dhunë. Ata kërkojnë nga Kryetari i kësaj Komunë, Stevan Vuloviq, që t’i inkurajojë të dyshuarit për vrasjen e Enver Zyberit, për t’u paraqitur në organet e rendit.
Lajme
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit të Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, i cili tha se në aksionin e sotëm në fshatin Zupq, pjesëtar të policisë së këtij misioni kanë përdorur dhunë.
Në një komunikatë për media, EULEX ka thënë se e kanë xhiruar aksionin për arrestimin e Radovan Radiq, të dyshuar për vrasjen e policit, Enver Zyberi, dhe se kanë prova për t’i dematuar deklaratat e Vuloviq-it.
“Misioni është në dijeni lidhur me komentet e bëra sot në mëngjes nga Vuloviq, kryetari i komunës së Zubin Potokut. Vuloviq ka pohuar se Policia e EULEX-it e ka keqtrajtuar një banor të komunës së Zubin Potokut. Kjo është në kundërshtim me realitetin”.
“Për ta mbështetur hetimin, policët e EULEX-it e kanë xhiruar me video krejt operacionin. Video regjistrimi tregon qartë që policët e EULEX-it janë prezantuar që janë polic – në gjuhën serbe – dhe kanë kërkuar nga banorja e shtëpisë që të qëndrojë në dhomën e saj. Ajo shpejt veproi ashtu”.
“Dëshirojmë të theksojmë që në asnjë çast nuk ka ndodhur ndonjë kontakt fizik me të, lëre më ndonjë keqtrajtim. EULEX-i pret nga z. Vuloviq që publikisht ta tërheqë deklaratën e tij dhe t’i kërkojë falje të plotë EULEX-it, si edhe policëve ndërkombëtarë të cilët e kryen operacionin me shkallën më të lartë të standardeve profesionale”.
EULEX i bën thirrje Kryetarit të Zubin Potokut që t’i inkurajojë të dyshuarit për vrasjen e Enver Zyberit, të paraqiten në stacionin më të afërt të policisë për të dhënë deklaratë dhe t’i nënshtrohen procesit të rregullt.
“Misioni është në dijeni lidhur me deklaratën e kryetarit Vuloviq që njerëzit të cilët janë në listën e të kërkuarve nga Interpoli, të cilët kërkohen në lidhje me vrasjen e Enver Zymberit, janë të gatshëm t’i japin deklarata prokurorit. Prandaj, e ftojmë kryetarin Vuloviq që ta inkurajojë cilindo qytetar të Zubin Potokut që është në atë listë që të paraqitet në stacionin më të afërt të policisë për të dhënë deklaratë dhe t’i nënshtrohet procesit të rregullt”.
“Misioni thekson në mënyrë kategorike që është shumë i interesuar që të angazhohet me komunitetet vendase në Kosovën veriore, dhe që interesimi i tij kryesor është që në Kosovën veriore të vendoset sundimi i ligjit që është legjitim, i parashikueshëm dhe i besueshëm, në mënyrë që këto komunitete të mos jenë të detyruara të jetojnë nën zgjedhën e krimit të organizuar që po i zë frymën ekonomisë vendase dhe po siguron që pjesa më e madhe e njerëzve të jetojnë në varfëri, ndërsa klasa kriminale po i gëzon fitimet e aktivitetit kriminal”.