Policia në Pejë sekuestron armë pa leje në dy raste, te njëri pas raportimit për kanosje

Në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë janë realizuar veprime policore në dy raste të ndara, të cilat kanë rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit që dyshohet se posedoheshin në mënyrë të paautorizuar nga personat e përfshirë. Sipas policisë, rasti i parë ka të bëjë me një incident të raportuar…

Lajme

17/11/2026 13:32

Në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë janë realizuar veprime policore në dy raste të ndara, të cilat kanë rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit që dyshohet se posedoheshin në mënyrë të paautorizuar nga personat e përfshirë.

Sipas policisë, rasti i parë ka të bëjë me një incident të raportuar më 14 nëntor në Pejë, ku ishte raportuar se një person i dyshuar kishte kanosur një grua përmes rrjeteve sociale.

“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe pas autorizimeve përkatëse, më 16.11.2026 është arrestuar personi i dyshuar. Gjatë kontrollit të realizuar në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri (pistoletë), dy karikatorë dhe 13 fishekë”, thuhet në njoftim, raporton IndeksOnline.

Ndërkaq, sipas policisë, rasti i dytë ka ndodhur këtë të martë, rreth orës 00:50, në fshatin Gllarevë të Klinës ku gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli, zyrtarët policorë kanë ndalur për kontroll një automjet dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe 26 fishekë, të cilat personi i dyshuar, ngasësi i automjetit, dyshohet se i posedonte pa lejen përkatëse. I njëjti është arrestuar dhe është shoqëruar për procedura të mëtejme policore.

Në të dyja rastet janë ndërmarrë veprimet procedurale në koordinim me autoritetet kompetente të drejtësisë. Në konsultim me prokurorin kompetent, të dyja rastet, mbeten të trajtohen në procedurë të rregullt./Lajmi.net/