Erdogan: Kurrë s’do të lejojmë një shtet kurd

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është cituar të ketë thënë të shtunën se vendi i tij nuk do të lejojë asnjëherë formimin e shtetit kurd që jeton në pjesën juglindore të Turqisë por edhe në pjesë të ndryshme të Sirisë veriore, raporton Reuters.

Bota

27/06/2015 21:13

Këto komente me gjasë do të zemërojnë kurdët tani që procesi i paqes me Ankaranë ka ngecur.

Turqia i ka parë me dyshime të mëdha avancimet ushtarake të kurdëve sirianë ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Sirinë fqinje, nga frika se një veprim i këtillë do të çonte në krijimin e një shteti autonom kurd atje dhe do të trimëronte pakicën kurde në Turqi që janë 14 milionë.

“Asnjëherë nuk do të lejojmë themelimin e një shteti në veri të Sirisë dhe në jugun tonë. Do të vazhdojmë luftën në këtë drejtim pavarësisht kostove”, është cituar të ketë thënë Erdogan nga mediat lokale gjatë një darke të vonshme të premten.

“Ata duan të përfundojnë operacionin e ndryshimit të strukturës demografike në rajon. Nuk do të rrimë duarkryq”, shtoi ai.

Zyrtarët turq kanë akuzuar kurdët sirianë se kanë dëbuar arabët nga shtëpitë e tyre në fshatrat dhe qytetet që i kanë okupuar. Kurdët mohojnë çdo pretendim për “spastrim etnik”.

Fati i kurdëve të Turqisë është një prej çështjeve më të ndërlikuara politike në vend. Erdogani ndërmori një hap të rëndësishëm më 2012 hapi negociatat për paqe me Partinë Kurde të Punës (PKK) për t’i dhënë fund rebelimit 30 vjeçar për autonomi më të gjerë kurde, periudhë gjatë së cilës u vranë 40,000 persona.

Por negociatat për paqe kanë ngecur dhe kurdët akuzojnë Erdoganin se “i ka rënë pishman”.