Emigrantët shkatërrojnë turizmin në Kos

Si të mos mjaftonin kriza aktuale ekonomike, kontrolli mbi kapitalin dhe përshkrimin negativ që i bëjnë mediat situatës në vend, ishujt grekë përgjatë vijës kufitare, përfshirë këtu edhe Kosin, po përballen me një problem në rritje lidhur me emigrantët në pikën më kulminante të turizmit.

Bota

13/08/2015 21:49

Ishulli Dodecanese i Kosit përjetoi pasoja të rënda këtë vit në turizëm, pas shpërthimit të kaosit, ku policia transferoi qindra emigrantë në një stadium futbolli për regjistrim.

Mijëra persona, shumica e të cilëve refugjatë nga Siria që kanë ardhur përmes Turqisë me gomone, kanë ngritur tendat në portin kryesor të qytetit, nëpër parqe dhe përgjatë bregut të plazhit, në pritje të dokumenteve të qëndrimit të përkohshëm.

Kryetari i bashkisë, Jorgos Kiricis u shpreh se në ishull zbarkojnë rreth 1 000 persona çdo ditë dhe pritet që ky numër të rritet këtë javë për shkak të motit të mirë.

Aktualisht, në ishull janë rreth 7500 refugjatë dhe emigrantë.

“Situata ka dalë jashtë kontrollit”, ka theksuar Kiricis herë pas here.

Ndërkohë, me shumë pak burime dhe asistencë jo të mjaftueshme nga BE-ja për të përballuar këtë fluks, autoritetet e Kosit e shohin turizmin të tkurret, me një rënie prej 7,3 për qind në shtatë muajt e parë të 2015-ës./ATSH