eLGBTon John në Frontin Rus

Ambasadori global për të drejtat e homoseksualëve loboi në njërin ndër vendet më homofobike në botë. Pop legjendari mbajti dy koncerte në Rusi, Kritikoi legjislacionin “jonjerëzor dhe izolues” ndaj komunitetit LGBT.

ShowBiz

09/12/2013 21:00

Përkundër thashethemeve për anulimin e mundshëm, dy koncertet e Elton John në Rusi, më 6 dhjetor në Moskë dhe më 7 dhjetor në Kazanj, u mbajtën pa ndonjë problem.

Këngëtari foli për legjislacionin “jonjerëzor dhe izolues” ndaj homoseksualëve në këtë vend. Por, nuk pati kritika të drejtpërdrejta për Vladimir Putin.

Koncertin në Moskë ia dedikoi Vladislav Tomovoi, 23 vjeçarit i cili u torturua dhe u vra pasi iu tregoi shokëve të tij se ishte gej.

“Gjithmonë më keni mirëpritur me ngrohtësi dhe krahëhapur”.

“Më keni pranuar dhe nuk më keni gjykuar. Prandaj, jam thellësisht i pikëlluar dhe i shokuar me legjislacionin aktual që është kundër komunitetit LGBT këtu në Rusi”.

Ai e pranoi se shumë perëndimorë kishin kërkuar prej tij ta bojkotonte Rusinë për shkak të këtyre ligjeve.

“Unë nuk besoj në izolimin e njerëzve. Muzika është një gjë shumë e fuqishme. Ajo i bashkon njerëzit pa marrë parasysh moshën, racën, seksualitetin, apo religjionin e tyre”.

“Fryma e cila na bashkon sonte është ajo që e ndërton të ardhmen e barazisë, dashurisë dhe mëshirës për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj. Ju lutem, mos e harroni këtë frymë kur të largoheni sonte prej këtu”.

Elton John është njëri ndër këngëtarët e parë nga Perëndimi që e kaloi Perden e Hekurt, duke performuar në Moskë dhe Shën Petersburg (asokohe Leningrad), në vitin 1979 (VIDEO).

Ai është kthyer disa herë në Rusi, së fundi në 2011.

Në muajin tetor, Seidzhagfar Lutfullin, njëri ndër imamët më të njohur të Kazanjit, kërconi se do të kishte “hakmarrje hyjnore” për të gjithë ata që do të shkonin në këtë koncert.

“Si besimtarë, e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’iu themi njerëzve të mos bien pre e joshjes së shejtanit”.

A.M.

 

Elton John – Sorry Seems To Be The Hardest Word (7 dhjetor 2013, Kazanj).