Eksperti që punoi në OSHP heton pretendimet për shkelje të ish-shefave

Prokurorja, Habime Salihu e cila është duke hetuar shkeljet e mundshme në tenderin për ndërtimin e Autostradës A7 e njohur si “Autostrada e Gjilanit” është duke zhvilluar hetimet pa nguti. Madje, është duke shkuar ngadalë.

Lajme

02/10/2019 14:08

Së fundmi, prokurorja, Salihu ka bërë një hap rreth hetimeve për këtë tender. Ajo ka caktuar ekspertin ligjor që do të bëjë ekspertizën e tenderit.

Lajmi.net ka mësuar se ekspert është caktuar, Basri Fazliu. Ai do të bëjë ekspertizën mbi pretendimet e mundshme të kallëzimit penal të cilin e ka ngritur Policia e Kosovës në fillim të këtij viti, duke pretenduar që është shkelur Ligji i Prokurimit Publik, nga ana e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Lajmi.net ka mësuar se Basri Falziu deri para rreth dy muajve ka qenë njeri prej katër eksperteve të punësuar në OSHP. Tash i njëjti do të hetojë shkeljet e mundshme që mund t’i kenë bërë eproret e tij kur e bënë Rivlerësimin e tenderit që peshon rreth 100 milionë euro. Pos, pesë zyrtarëve të ministrisë, në kallëzimin penal të policisë janë të përfshirë edhe, Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina dhe dy anëtar tjerë, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviç.

Po ashtu, lajmi.net ka mësuar se Falziu është shok dhe me kryetarin e Komisionit të vlerësimit të tenderit, Isa Berisha, i cili është pjesë e hetimeve. Berisha dhe Fazliu shihen bashkë kohë pas kohe në kafenetë e Prishtinës.

Lajmi.net ka drejtuar disa pyetje në Prokurinë Speciale lidhur me emërimin e Fazliut si ekspert për të bërë ekspertizën ligjore që lidhen me prokurimin për këtë tender. Në Prokurori kanë kthyer përgjigje gjysmake lidhur më këtë çështje. Kanë thëne se ekspertët pranohen në punë nga ana e Gjykatave, por nuk kanë treguar se ku janë të punësuar dhe kush i cakton ato për ekspertiza.

“Sa i përket kritereve apo procedurave për pranimin e një eksperti, i drejtoheni Sistemit Gjyqësor, pasi qe ata janë kompetente për këtë çështje”, tha Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, lajmi.net ka kërkuar përgjigje në këto pyetje: “Cilat janë kriteret për pranimin e një eksperti nga ana e Prokurorisë i cili më pastaj do të angazhohej nga Prokuroria për ekspertiza të ndryshme ? Sa ekspertë, veçmas për hetimet në prokurimin publik i ka të angazhuar me kontratë Prokuroria Speciale?  Dimë që Basri Fazliu është angazhuar në cilësinë e ekspertit të Prokurorisë për të bërë ekspertizën në rastin e Autostradës së Gjilanit, rast ky i cili po hetohet nga prokurorja Habibe Salihi. Si bëhet përzgjedhja e ekspertëve për angazhimin e në një rast të caktuar, pasi dimë që Fazliu ka punuar deri vonë në OSHP dhe tash i njëjti do të bëj ekspertizën ku të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të OSHP-së ? Me çfarë kontrate është punësuar në Prokurori, Basri Fazliu ?”.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga OSHP-ja lidhur me atë se cilat kanë qenë arsyjet e largimit të zyrtarit të tyre, Basri Fazliu, por ky institucion nuk është përgjigjur.

Dihet qe puna e ekspertëve shqyrtues ka rëndësi të madhe në funksionimin e mirëfilltë të OSHP-së, pasi që të njëjtit bëjnë shqyrtimin e pretendimeve ankimore të palëve ankuese dhe dalin me një rekomandim për panelin shqyrtues. Rekomandimi i ekspertëve në raportin e ekspertizës shpesh konsiderohet si udhëzues i vendimeve të OSHP-së ndaj ankesave të kompanive.

Deri më tani OSHP-ja ka funksionuar vetëm me katër ekspertë të brendshëm: Basri Fazliu, Visar Basha, Visar Bibaj dhe Hysni Muhadri.

Vetëm në vitin e kaluar, Basri Fazliu ka qenë i angazhuar dhjetëra raste, shumë prej tyre kishin të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës.

Megjithëkëtë, tenderi për  ndërtimin e Autostradës është i ndarë në 8 lote (pjesë) dhe pasi ishin shpallur kompanitë fituese,  Pastaj ka pasur ankesa nga kompanitë garuese dhe tenderi kishte shkuar në rivlerësim me ç’rast ishin ndërruar kompanitë.

Pas rivlerësimit, ankesë në OSHP, kishin parashtruar përsëri 11 kompani. Për të trajtuar ankesat e kompanive të cilat pretendonin që ishte shkelur ligji i prokurimit publik, në secilin lot, OSHP-ja e kishte caktuar ekspertin e vetë Hasim Krasniqi. Lajmi.net e ka parë raportin prej 106 faqeve të cilin e kishte përpiluar Krasniqi. Ai ka gjetur shkelje të ligjit në secilin lot veç e veç. “Eksperti shqyrtues bazuar në konstatimet e cekura në ekspertizë që Autoriteti Kontraktues –Minsitria e Infrastukturës, për aktivitetin e prokurimit: Ndërtimin e Autoudhes A7.1- Kryqëzimin në disnivel A6/A7 (Banullë) –Dheu i Bardhë –Pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Udhëkryqi “Bresallc”- L 22.31 KM”, me numër te prokurimit të brendshëm MI 170465511 dhe numër E-prokurimit: 205 -17 -2586 -5-1-1, nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e LPP-së dhe rregullat dytësore për prokurimin publik”, thuhet në vlerësimin e ekspertit.

Po ashtu në raport thuhet se, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që të gjitha ankesat e OE/konzorciumeve ankuese të pranohen si pjesërisht të bazuara. Eksperti shqyrtues i ka propozuar penalit shqyrtues  që ta anulojë vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës për lot 1,2,3,4,5,5,6,7 dhe 8, dhe njëherësh propozon që ky aktivitet i prokurimit për të gjitha këto lote të kthehet në Rivlerësim. Gjithashtu eksperti shqyrtues i rekomandon AK-së, që gjatë rivlerësimit të ofertave të zbatohen në tërësi dispozitat e parapara në Njoftimin për Kontratë dhe Dosjen e Tenderit.

Përkundër mendimit të ekspertit të OSHP-së, i cili është angazhuar nga vetë ky organ, Paneli Shqyrtues i përbërë nga Blerim Dina –kryetar, Nuhi Paçarizi –referues, Goran Milenkoviç patën marrë vendim në favor të Ministrisë së Infrastrukturës, duke e hedhur poshtë vlerësimin e ekspertit të tyre, ekspertiza e të cilit bazohej në dokumentet të LPP-së dhe ofertave të ofertuesve./ Lajmi.net/