Eksperti amerikan: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia s’do të ndikojë në destabilizimin e veriut të Kosovës

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka filluar të bëhet çdo ditë më i ashpër.

Lajme

27/02/2022 20:20

Njohës të fushës së sigurisë në Kosovë, patën paralajmëruar se pushtimi rus në Ukrainë, mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore.

Por, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, mendon se konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë, nuk ka shumë të përbashkëta me Kosovën.

“Një ndryshim është se unë nuk pres që Serbia të përdorë ndonjëherë forcën për të rimarrë kontrollin mbi Kosovën, duke pasur parasysh se NATO është e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Ben Meir.

Siç thotë eksperti amerikan, marrë parasysh se Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, megjithatë sipas tij, “ekziston” një lloj paralele.

“Kjo në kuptimin që Serbia nuk e njeh Kosovën dhe ka pretendime për territorin e saj si provincë e Serbisë”, shtoi ai.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka dalë në mbështetje të Ukrainës, sovranitetit e pavarësisë së saj.

Liderët e Kosovës, janë deklaruar kundër agresionit rus në Ukrainë dhe janë solidarizuar me popullin ukrainas.

Dhe, sipas Ben Meir, ajo çfarë Kosova duhet të bëjë, është të qëndrojë jashtë çdo narrative që është pro apo kundër Rusisë.

“Gjëja më e mirë që Kosova të bëjë është të qëndrojë jashtë këtij konflikti dhe të mos përfshihet në asnjë narrativë publike kundër ose në favor të lëvizjeve ruse në Ukrainë”, potencoi ai.

 Kur pyetet se cilat mund të jenë lëvizjet e Serbisë dhe Rusisë në forumet ndërkombëtare në lidhje me Kosovën, dhe në çfarë formash pritet të rritet agresioni, Ben Meir, ka theksuar se Serbia nuk do të fitojë as politikisht e as materialisht shumë nga Rusia, duke u bashkuar me Rusinë në ndonjë forum ndërkombëtar kundër Kosovës.

“Besoj se preokupimi i Putinit tani me Ukrainën sigurisht që do ta pengojë atë të ndërhyjë seriozisht në Ballkan, përveç vazhdimit të përpjekjeve të tij për të joshur Serbinë në sferën e ndikimit të Rusisë. Ndonëse ka një marrëdhënie të mirë mes Rusisë dhe Serbisë, dhe që vonë Rusia ka furnizuar me armë Serbisë, besoj se Serbia ende shikon Perëndimin dhe jo Rusinë”.

Kjo, siç thotë ai, veçanërisht për shkak se ka ende një marrëdhënie të vazhdueshme midis Bashkimit Evropian dhe Serbisë dhe se Serbia ende shpreson të anëtarësohet në BE.

Ndonëse, deklarata e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov i cili tha se mercenarë nga Kosova po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë, është cilësuar si e papranueshme, për Ben Meir, rusët janë të njohur për përhapjen e dezinformatave.

Ai nuk beson se Kosova është objektiv i Rusisë.

Unë besoj se Putini nuk dëshiron të përshkallëzojë konfliktin përtej Ukrainës, sepse kjo sipas mendimit tim mund të ftojë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Rusët janë të njohur për përhapjen e dezinformatave, dhe një pjesë e skemës së Putinit është sigurohuni që Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht BE-ja nuk do të jenë në gjendje të përcaktojnë saktësisht se cila do të jetë masa e tij e ardhshme”, shtoi ai.

Ndërkohë, mbi 17 vende evropiane kanë bllokuar tani hyrjen në hapësirën ajrore për fluturimet ruse, duke u hakmarrë dhe duke shënuar një kthesë drejt marrëdhënieve të stilit të Luftës së Ftohtë.

Në mes të tensionit, Ukraina ka rënë dakord për bisedime të paqes me Rusinë “pa parakushte”.

Kjo, pas ditës së katërt të luftimeve.

Forcat ruse, në orët e hershme të së enjtes së 24 shkurtit nisën pushtimin në Ukrainë. /Lajmi.net/