Ekspertët: Nuk ka rrezik nga koronavirusi nëse porosisni produkte online nga Kina

Agjencitë Federale të Shëndetit dhe ekspertët e sëmundjes infektive thonë se virusi nuk jeton gjatë në pakot e porositura online nga Kina.

Auto & Tek

09/02/2020 16:30

Ata shpjegojnë se virusi ka më të ngjarë të shpërndahet në kontakte të drejta me njerëz sesa nëpërmjet në pakoje, sipas Daily Mail, transmeton lajmi.net.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) shpjegojnë në faqen e internetit se nuk ka shumë të ngjarë të kontraktoni koronavirusin nga një sipërfaqe.

Ndërsa një person mund të bartë virusin për ditë – apo edhe javë – viruset nuk jetojnë gjatë jashtë trupit.

Kjo do të thotë që nëse virusi gjendet në një sipërfaqe, jetëgjatësia është ‘në intervalin e orëve’, sipas CDC.

Për më tepër, doktoresha Elizabeth McGraw, drejtoreshë e Qendrës për Dinamikë të Sëmundjeve Infektive në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë thotë se një kuti kartoni nuk është terreni më i mirë për virusë.

“Ajo që dimë në lidhje me këto viruse është se ato nuk zgjasin shumë në sipërfaqe të ngurta, e sidomos në sipërfaqe shumë poroze siç është kartoni”, tha ajo për NPR.

Ekspertët e shëndetit rekomandojnë të merrni masa paraprake duke larë duart me sapun dhe ujë të ngrohtë, si dhe të kolliteni apo teshtini në bërryl, për të parandaluar përhapjen e mikrobeve. /Lajmi.net/