Edhe komunat, edhe Kosovën

Para simpatizantëve në Klinë, Hashim Thaçi deklaroi se PDK i ka sot, e do t’i ketë edhe nesër, edhe komunat, edhe Kosovën. Ai u shpreh i bindur në fitoren e Sokol Bashotës dhe të PDK’së në shumicën e komunave. Tha se fitorja më ëmbël do të jetë në Klinë.

Lajme

20/10/2013 18:10

Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë tubimit elektoral në Klinë, u shpreh i bindur në fitoren e Sokol Bashotës. Ai tha se PDK do të fitojë, sërish, shumicën e komunave në Kosovë.

Para simpatizantëve të partisë së tij në Klinë, Thaçi tha se PDK sot i ka edhe komunat, e ka edhe Kosovën, e do t’i ketë edhe nesër.

Në këtë mënyrë ai thumboi LDK’në e Isa Mustafës, e cila ka moto në këto zgjedhje sloganin “Sot komunat, nesër Kosovën”.

“Ne i kemi edhe komunat, edhe Kosovën. Edhe sot, edhe nesër”, është shprehur Thaçi.

Kryetari i PDK’së ka kërkuar nga qytetarët e Klinës që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje me 3 nëntor.

“Fitoren më të çmuar dhe më të ëmbël do ta kemi në Klinë”.

“Kryetari Sokol Bashota, i cili i ka bashkuar qytetarët e Klinës, është Kryetari i cili u ka shërbyer të gjithëve, pa dallim”.

“Kryetari Bashota ka realizuar edhe më tepër se sa ka premtuar”.

“Sokol Bashota është personalitet i rëndësishëm i Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës, është njeri i respektuar në të gjithë Kosovën. Ai është ndër themeluesit e UÇK’së, bashkëpunëtor i Komandantit Legjendar Adem Jashari”.

“Çdo projekt që e prezanton Sokol Bashota do ta ketë mbështetjen e shtetit të Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës duke dashur që të integrojë edhe më shumë Klinën, më afër autostradës, ne kemi ndarë mjete për zgjerimin e magjistrales apo ndërtimin e autostradës, e cila do të vazhdojë deri në Pejë. Me këtë qytetarët e Klinës do të jenë në autostradë për 2 minuta, në Prishtinë për 30 minuta ndërsa në Durrës për 2 orë”.

“Ju ftoj të gjithëve pa dallim partie që të votoni për Sokol Bashotën. Ne duam që të hijeshohet demokracia edhe me parti të tjera, angazhohemi për një fushatë të mirëfilltë. Por, votoni për këtë njeri të cilin e njeh e gjithë Kosova dhe jo për ndonjë parti e cila nuk e di as emrin e kandidatit për Klinë”.

Hashim Thaçi ka përmendur veç e veç secilin kandidat të PDK’së nëpër Kosovë. Ai është shprehur i bindur në fitoren e PDK’së në shumicën e komunave të Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka premtuar edhe në Klinë rritje të pagave.

“Që nga viti 2014 do të ketë rritje të pagave për të gjithë mësimdhënësit e Kosovës, për të gjithë punëtorët e shëndetësisë, drejtësisë, pensionistët, pjesëtarët e FSK’së, veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës”.

“Kur kemi bërë rritjen e parë të pagave të tjerët thoshin se është e pamundur, se është vetëm fushate. Mirëpo, ne kemi realizuar premtimin dhe kemi vazhduar edhe projekte tjera si autostradën”.