18 milionë euro projekt, por pa leje ndërtimore – Komuna e Gjilanit në mënyrë skandaloze po vazhdon projektin e bulevardit të cilit ia “zhdukën” edhe bodrumin
Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë me radhë, ka filluar ndërtimin e një bulevardit që po dyshohet të ketë filluar pa leje ndërtimore. Madje Komuna që ka edhe institucionet që do duhej të rrënonin objektet që nisin të ndërtohen pa leje…
Lajme
Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë me radhë, ka filluar ndërtimin e një bulevardit që po dyshohet të ketë filluar pa leje ndërtimore.
Madje Komuna që ka edhe institucionet që do duhej të rrënonin objektet që nisin të ndërtohen pa leje ndërtimore, po e ndërton një të tillë vetë.
Kjo problematikë është bërë publike nga asamblisti i LDK-së në këtë komunë Gentrit Murseli, i cili ka thënë se Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi po i mashtron qytetarët e Gjilanit.
Murseli edhe përmes mediave ka thënë se nuk ekziston një leje për Bulevardin e Qytetit, por vetëm për objektin e Administratës Komunale me etazhitet “B+P+5”, shkruan lajmi.net.
“Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan Kushtrim Ibrahimi, përmes postimit të tij të fundit ka dëshmuar se ose nuk është i informuar për çështjen që po mbron, ose po tenton qëllimisht ta dezinformojë opinionin publik. Në përpjekje për t’i hedhur poshtë pretendimet e mia se ndërtimi i Bulevardit të Qytetit nuk ka leje, ai në fakt vetëm i ka vërtetuar ato. Dokumenti që ka publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit. Ai vërteton vetëm se Komuna posedon leje ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet “B+P+5”. Pra, kur qytetarët kërkojnë lejen për bulevardin, drejtori publikon lejen për objektin e Komunës. Kjo nuk është përgjigje. Kjo është shmangie nga pyetja kryesore! Nëse ekziston leja për Bulevardin e Qytetit, publikoje. Nëse jo, ndale dezinformimin e opinionit publik.”, ka shkruar Murseli.
E se Komuna nuk e posedon këtë leje u vërtetua edhe nga vetë Drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi.
Ibrahimi në publikimin e kinse lejes harroi se aty vëretetohej se bulevari në fakt nuk ka leje ndërtimi, e se leja në fjalë që ai potencoi se posedojnë është vetëm leje për objektin e Administratës Komunale.
Por duke mos u brengos fare për projektin “paleje” 18 milionë euro, Kushtrim Ibrahimi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se bulevardi po bëhet realitet.
“Ata i kanë fjalët, ne i kemi punët. Ata i kanë sabotazhet, bllokadat dhe mosvotimet e buxhetit. Ne i kemi projektet më të mëdha të qytetit, të cilat tashmë kanë nisur të realizohen. Pavarësisht pengesave, vazhdojmë përpara me punë, përkushtim dhe rezultate konkrete. Qytetarët nuk jetojnë nga premtimet, por nga projektet që ndërtohen dhe shihen në terren. Bulevardi po bëhet realitet. Ky është vetëm fillimi i transformimit që po i ndodh qytetit tonë. Ps. Për të gjithë ata që ngritën polemika e dezinformata, mos të harrojmë se edhe leja e ndërtimit të objektit është publikuar. Faktet flasin vetë, ndërsa puna vazhdon”, ka shkruar Ibrahimi.
Në lidhje me këtë rast, ka shkruar edhe asamblisti i PDK-së në këtë Komunë, Riad Rashiti.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është zbuluar edhe një skandal i ri në Komunën e Gjilanit, e që lidhet me planifkimin e ndërtimit që llogaritej të ishte bodrum, përdhesë dhe 5 kate, e që punimet nisën pa bodrum fare.
“Sipas lejes ndërtimore të publikuar nga drejtori i Shërbimeve Publike, objekti i ri i administratës komunale është planifikuar të ndërtohet me B+P+5 (bodrum, përdhesë dhe 5 kate). Mirëpo, sipas gjendjes në terren, punimet kanë nisur pa bodrum fare. Pra, ja paskan “hëngër” një kat të tërë kësaj ndërtese qysh në start. Paramendojeni: kur nuk janë në gjendje ta ndërtojnë as bodrumin që e kanë paraparë vetë në projekt dhe në leje ndërtimore, çka kanë me bo nesër me rrugën nëntokësore, me parkingjet dhe me pjesët tjera të projektit që kërkojnë planifikim e profesionalizëm?”, ka shkruar Rashiti.
Ai ka thënë se të gjithë kanë të drejtë ta dinë pse po ndërtohet ndryshe nga ajo që është miratuar, a është ndryshuar projekti, kush e ka marrë vendimin për heqjen e bodrumit dhe sa ndikon kjo në koston dhe funksionalitetin e objektit.
“Kjo tregon mjerimin e pushtetit që janë totalisht të paaftë, mashtrues e hajna me letra. Hajgare me planifikim. Dyshime për keqmenaxhim të tenderëve. Dyshime për abuzim me kontratën. Manipulim me dokumentacionin. Eh tash qitjani përnime pikën”, ka shkruar Rashiti.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, kur ka publikuar lejen e ndërtimit, ka publikuar atë për projektin me emër “Ndërtimi i objektit të administratës publike – komunale, me etazhitet B+P+5”.
Deri tani ai asnjëherë nuk ka publikuar lejen për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit, projekt që do të kushtoj plot 18 milionë euro. E ky projekt parashihet të jetë për hetim prokurorial, duke pas parasysh se vlera e ndërtimit është tejet e lartë e leja e ndërtimit nuk është askund./Lajmi.net/
