E paraqitën Kosovën si pjesë të Serbisë, Shërbimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kërkon falje

Shërbimi i Qeverisë për Punë të Përbashkëta dhe të Përgjithshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka thënë se ka bërë një “lëshim të paqëllimshëm” në materialet promovuese të shpërndara në përfaqësitë diplomatike, pasi në fund të një blloku shënimesh (notes) ishte e printuar një hartë ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë, duke mos…

Lajme

13/01/2026 08:50

Shërbimi i Qeverisë për Punë të Përbashkëta dhe të Përgjithshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka thënë se ka bërë një “lëshim të paqëllimshëm” në materialet promovuese të shpërndara në përfaqësitë diplomatike, pasi në fund të një blloku shënimesh (notes) ishte e printuar një hartë ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë, duke mos figuruar si shtet i pavarur.

Materiali në fjalë, i dërguar në disa ambasada, ishte i shtypur vetëm në gjuhën maqedonase dhe i shoqëruar me një hartë shumëngjyrëshe të Evropës.

Pikërisht kjo hartë ka shkaktuar reagime, pasi Kosova nuk ekziston si shtet, por është e përfshirë brenda territorit të Serbisë.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Ambasadës së Kosovës, Shërbimi i Qeverisë ka kërkuar falje të thellë, duke e cilësuar rastin si gabim teknik, dhe ka njoftuar se materiali do të tërhiqet menjëherë nga përdorimi.

Edhe pse autoritetet insistojnë se bëhet fjalë për një lëshim teknik, rasti vjen në një kontekst të ndjeshëm politik, veçanërisht pas deklaratave publike ku përfaqësues të lartë të qeverisë kanë përdorur terminologjinë “Kosovo i Metohija”, term që lidhet drejtpërdrejt me narrativën zyrtare të Serbia dhe jo me qëndrimet e njohura ndërkombëtarisht, ndërsa edhe në libra shkollorë prej të cilëve mësojnë edhe fëmijët shqiptarë, në disa raste Kosova është paraqitur si pjesë e Serbisë. raporton Koha.mk nga Portalix.mk.