E konfirmuar, Mimoza Kusuari-Lila kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Gjakovës
Deputetja dhe ushtruesja e detyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila do të jetë kandidate nga ky subjekt për kryetar të Gjakovës në zgjedhjet komunale të 17 tetorit.
Lajme
Lajmin e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka njoftuar se është arritur marrëveshje me kryetaren e Alternativës për Kosovën, zonja Mimoza Kusari-Lila për të garuar në Gjakovë.
Njoftimi i plotë:
Bashkëpunimit të suksesshëm ia mbajmë gjithnjë derën hapur.
Fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal. Ndryshimet e mëdha për të cilat ka nevojë Kosova, kërkojnë një bashkërendim të reformave e veprimeve të Qeverisë, me një drejtim transformues nëpër komuna.
Përmes këtij memorandumi mes subjekteve tona njoftojmë opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Gjakovë do të jetë Kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila.
Me 14 shkurt u bashkuam në listën ngadhnjyese për referendumin e Republikës, në 17 tetor duhet të bashkohemi edhe një herë, për komunën, fshatin e lagjen tonë. Qeverisjes së mirë në nivel qendror duhet t’ja bashkangjesim edhe qeverisjen punëtore në nivel lokal. /Lajmi.net/
