E ardhmja e Vinicius Junior po bëhet gjithnjë e më e pasigurt në “Santiago Bernabeu”, ndërsa drejtuesit e Real Madridit e shohin rinovimin e kontratës së sulmuesit brazilian si prioritet kryesor gjatë kësaj vere.
Kontrata aktuale e brazilianit skadon në verën e vitit 2027, dhe me më pak se dy vite të mbetura, drejtuesit madrilenë kanë frikë se situata mund të hyjë në fazën kritike verën e ardhshme kur lojtari do të jetë në vitin e fundit të kontratës.
Sipas “OkDiario”, kampi i Vinicius Junior nuk e përjashton mundësinë që ai të lejojë skadimin e kontratës dhe të largohet si lojtar i lirë në vitin 2027.
Vinicius ka kërkuar gjithmonë të jetë lojtari më i paguar në Real Madridit, dhe në fillim klubi ishte i gatshëm të plotësonte këtë kërkesë.
Megjithatë, gjithçka ka ndryshuar pas bonusit të madh që iu dha Kylian Mbappe-s pas transferimit të tij, duke bërë që madrilenët të mos kenë më burimet financiare për të përmbushur kërkesat e brazilianit.
Për këtë arsye, Vinicius Junior është tërhequr nga negociatat për kontratën e re, ndërsa oferta që do ta lidhte atë me klubin deri në vitin 2030, mbetet ende në tryezë – por e paprekur.
Nëse lojtari dhe përfaqësuesit e tij vazhdojnë të refuzojnë rinovimin, drejtuesit e Real Madrid nuk përjashtojnë një shitje të tij që këtë verë, për të shmangur një humbje të mundshme pa përfitim në të ardhmen.