Dy të vrarë në Pejë

Dy persona janë vrarë në Pejë, mbrëmjen e së shtunës, pas një sulmi me kallashnikov nga një veturë në lëvizje. Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibra. Siç bëhet e ditur, viktimat janë Xhekë Kelmendi e Kastriot Kukaj.

Lajme

12/10/2013 20:50

Dy persona janë vrarë në qytetin e Pejës, mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:00.

Kosovapress raporton se lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibra, i cili ka thënë se ende nuk ka të dyshuar dhe se policia po punon në këtë drejtim.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë, mirëpo ende nuk kemi persona të dyshimtë”, ka thënë Ibraj.

Siç raporton Kosovapress, të vrarë janë Xhekë Kelmendi dhe Kastriot Kukaj.

Fillimisht, Kastriot Kukaj i plagosur ishte sjellë në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – ku më pas ka ndërruar jetë.

Kosovapress, duke cituar burime, raporton se viktimat janë sulmuar me kallashnikov nga një veturë në lëvizje, derisa pohohet se motivi mund të jetë hakmarrja.

Pohohet se njësitet e policisë kanë gjetur një veturë të djegur, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, në një zonë malore në periferi të Pejës, e cila mendohet se mund të jetë vetura e përdorur gjatë sulmit.