Dy komisione hetimore për energjinë, Gashi: LDK e përkrah edhe propozimin e VV-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se Kryesia e Kuvendit është pajtuar që të realizohet kërkesa e opozitës për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e energjisë.

Lajme

05/05/2022 15:17

Në një konferencë për media, ai shtoi se, LDK-ja e përkrah edhe kërkesën e pushtetit për t’u formuar një tjetër Komision Hetimor që do të merret me çështjen e energjisë nga viti 2006, shkruan lajmi.net.

“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u dakorduam që e drejta e opozitës është e pakontestueshme. Në këtë rast kërkesa për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar do të realizohet, por po ashtu kam deklaruar në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës se jemi të hapur për të përkrahur edhe propozimin për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar nga pushteti. Pra ka një pajtim që do të formohen dy komisione hetimore parlamentare dhe kuvendit t’i kthehet normalitetit”, tha Gashi.

Ai po ashtu shtoi se, shpreson që pas këtij pajtimi, Kuvendi të kthehet në punën vetë normale.

“Sjellja e papërgjegjshme shpresoj që ka marrë fund dhe Kuvendi duhet të hyjë punën e vetë normale në mënyrë që t’i kryejmë funksionet tona kushtetuese”, përfundoi Gashi. /Lajmi.net/