Dy aeroplanë me emigrantë kosovarë kthehen nga Hungaria dhe Gjermania

Një aeroplan special ka sjellë sot pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” një grup të emigrantëve, të cilët ishin zënë duke kaluar ilegalisht kufirin në rrugën për të kërkuar jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Lajme

16/12/2014 20:55

Fahrije Tërnava, nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar se sot janë riatdhesuar 30 persona që janë kthyer nga Hungaria.

Emigrantët të cilët sot u kthen në Kosovë treguan për rrugën e vështirë që ata e kishin kaluar.

“Na kanë trajtuar më keq se një qen, as bukë s’ kemi pas me hëngër”, tha një i sapokthyer, rreth moshës 20 vjeçare, i cili nuk deshi të prezantohej.

Ai tha se në burgun e Hungarisë ka qëndruar për gjashtë javë. I riu tregoi se me rreth 500 euro ishte nisur nga Kosova përmes Serbisë që të dilte ne Austri, kur edhe ishte zënë nga policia hungareze.

Ai tha se këtë rrugë nuk do t’ia preferonte asnjë të riu.

Nga të kthyerit, shumica ishin djem të rinj, të cilët nuk donin as të prononcoheshin e as të tregonin rrëfimin e tyre.

Ndërsa Isuf Isufi, nga komuna e Podujevës, i cili kishte dalë në Aeroportin e Prishtinës që ta presë djalin e tij, tha se ai nuk kishte as para të mjaftueshme me vete.

“150 euro ia kemi dhënë me vete, edhe ato i ka fituar vetë me punën e tij, dhe u nis, donte një jetë më të mirë”, tha Isufi.

Por, sipas tij, djali i tij do të vazhdojë të [provojë sërish që të emigrojë jashtë vendit.

“Ka për ta provuar prapë, edhe pse ne nuk duam, por ai prapë ka me provu. Këtu (në Kosovë) nuk ka asgjë, s’ka punë, s’ka siguri, s’ka asgjë”, tha Isuf Isufi.

Për djalin e tij, i cili nuk deshi të prezantohej, rruga drejt Evropës si duket nuk ishte e vështirë.

“Jo bre, për kështu dal prapë”, ishte deklarata e tij, duke mos dashur të fliste më shumë.

KALLXO.com ka mësuar se gjatë ditës së sotme është kthyer edhe një grup tjetër i emigrantëve nga Gjermania, përmes një linje speciale ajrore. /KALLXO.com/