Durmishi: Nga reagimi në parandalim – plan i përbashkët për ndërhyrje të shpejta ndaj vërshimeve

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e një sistemi funksional të parandalimit dhe intervenimit të shpejtë ndaj vërshimeve, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe reshjeve intensive. Durmishi ka njoftuar se hartat e detajuara të rrezikut nga…

Lajme

15/01/2026 19:15

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e një sistemi funksional të parandalimit dhe intervenimit të shpejtë ndaj vërshimeve, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe reshjeve intensive.

Durmishi ka njoftuar se hartat e detajuara të rrezikut nga vërshimet tashmë janë përfunduar dhe së shpejti do të publikohen përmes Sistemit Informativ Ujor. Po ashtu, Plani Emergjent i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave është përditësuar, ndërsa dokumenti për intervenime teknike të menjëhershme është finalizuar, transmeton lajmi.net.

“Sot, në cilësinë e ministrit, kam thirrur në takim të gjithë akterët kyç qendrorë për të dakorduar një plan të përbashkët veprimi për intervenime të shpejta në terren”, ka deklaruar Durmishi.

Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, ndërmarrja “Ibër Lepenc”, si dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Sipas ministrit, plani i dakorduar do të zbatohet përmes investimeve konkrete nga buxheti i vitit 2026, me synim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe reagimin e koordinuar ndaj situatave emergjente.

“Qëllimi ynë është i qartë: kalimi nga reagimi në parandalim, përmes koordinimit institucional, veprimit në terren dhe arritjes së rezultateve të prekshme për qytetarët”, ka theksuar Durmishi.

Institucionet vlerësojnë se këto masa do të ndihmojnë në uljen e rrezikut nga vërshimet dhe në mbrojtjen e jetës, pronës dhe infrastrukturës publike në vend./lajmi.net/