Dukagjini e fiton për herë të parë në histori Kupën e Kosovës, Ferizaji braktisë ndeshjen para përfundimit – trajneri Abazi paralajmëron largimin nga futbolli
Një finale e tensionuar e Kupës së Kosovës ka përfunduar me triumfin historik të Dukagjinit, që për herë të parë në histori të klubit ka fituar trofeun, duke mposhtur Ferizajin me rezultat 2-1 në finale. Ndeshja u zhvillua me shumë tension dhe emocione. Dukagjini kaloi në epërsi me golin e Altin Mërlakut në minutën e…
Sport
Një finale e tensionuar e Kupës së Kosovës ka përfunduar me triumfin historik të Dukagjinit, që për herë të parë në histori të klubit ka fituar trofeun, duke mposhtur Ferizajin me rezultat 2-1 në finale.
Ndeshja u zhvillua me shumë tension dhe emocione. Dukagjini kaloi në epërsi me golin e Altin Mërlakut në minutën e 17-të, por Kushtrim Shabani barazoi shifrat për Ferizajin vetëm gjashtë minuta më vonë. Pavarësisht se luajtën me një futbollist më pak, skuadra nga Klina arriti të sigurojë fitoren, falë një goli spektakolar të Hekuran Berishës në minutën e 74-të, transmeton lajmi.net.
Pas humbjes, trajneri i Ferizajit, Arsim Abazi, shpërtheu në një intervistë për Artmotion, duke fajësuar gjyqtarët për rezultatin dhe duke shpallur tërheqjen e tij nga futbolli: “Kjo është prej fillimit e montume që Ferizaji mu largu prej Superligës dhe me hup kupën. Me këtë që ka ndodhë sot 99% do të tërhjekna krejt prej futbollit, nuk do të mirrem me futboll ma hiç. Kam familje, të gjithë familjen e kam pas këtu. Këto janë ndjenja, çka jemi na? Nuk kemi ardh prej Serbisë! Prej Kosovës jemi, prej Ferizajit, qytetit më tatimpagues në Kosovë.”
Në fund të ndeshjes, futbollistët e Ferizajit e braktisën fushën për disa minuta në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarit Genc Nuza.
Nga ana tjetër, trajneri i Dukagjinit, Arsim Thaqi, për vitin e dytë rradhazi ka fituar Kupën e Kosovës, pasi sezonin e kaluar e kishte ngritur trofeun me skuadrën e Prishtinës.
Kjo finale do të mbahet mend jo vetëm për rezultatin historik të Dukagjinit, por edhe për tensionin, polemikat dhe deklaratat e forta pas ndeshjes, që tregojnë emocione të papërmbajtshme në futbollin kosovar./lajmi.net/