Pas akuzave të Osmanit, Kurti flet me katër kongresistë: Bondsteel duhet të jetë bazë e përhershme amerikane
Pas deklaratave të ish-presidentes dhe kandidate për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, e cila e akuzoi se ka kërkuar qira për kampin amerikan Bondsteel, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me katër kongresistë amerikanë për të theksuar prioritetet strategjike të vendit. Kurti zhvilloi takim virtual me kongresistët Keith Self, Ritchie…
Lajme
Pas deklaratave të ish-presidentes dhe kandidate për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, e cila e akuzoi se ka kërkuar qira për kampin amerikan Bondsteel, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me katër kongresistë amerikanë për të theksuar prioritetet strategjike të vendit.
Kurti zhvilloi takim virtual me kongresistët Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët kanë paraqitur dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Gjatë bisedës, Kryeministri falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe ritheksoi rëndësinë e rezolutës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe të angazhimit të SHBA-së në kuadër të KFOR-it, transmeton lajmi.net.
Në komunikatën zyrtare, Kurti theksoi se Bondsteel duhet të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane, duke argumentuar se kjo rrit sigurinë rajonale dhe shërben në interes strategjik të Kosovës dhe SHBA-së.
Ai gjithashtu informoi kongresistët për krijimin e Xhandarmërisë, një strukturë e re sigurie që do të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-in, si dhe për finalizimin e Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me SHBA-në.
Reagimi i Kurtit vjen pas akuzave të Osmanit gjatë një tubimi më 10 maj, ku ajo e kritikoi për pretendimet se qiramë për Bondsteel-in duhet të kërkohet nga Kosova. Osmani tha se bashkëpunimi me SHBA-të dhe rruga drejt NATO-s janë zhvillime pozitive për vendin dhe nuk duhet të shihen si arsye për tensione politike:
“Kush do ta kishte imagjinuar se të gjitha këto bëhen pengesë dhe frikë e arsye për bllokadë të shtetit tonë dhe zgjedhje të panevojshme. Kush do ta kishte imagjinuar që konsiderohesh pengesë sepse e do Kosovën si shtet ku ushtari i Kosovës mbron paqen krah për krah me ushtarin amerikan, e jo si një shtet ku politikanë të caktuar thonë se Bondsteel-it duhet t’i qesim e t’i kërkojmë qira”, deklaroi Osmani.
Komunikata e plotë:
Kryeministri në detyrë Kurti zhvilloi takim virtual me katër kongresistë amerikanë, u diskutua për rezolutën për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për kampin Bondsteel
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë prioritete kyçe për Qeverinë, duke shtuar se ato janë thelbësore për sigurinë në rajon. Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës që ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO.
Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.
Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Xhandarmëria nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të.
Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Në fund të bisedës, Kryeministri në detyrë Kurti dhe katër kongresistët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së./lajmi.net/