Duka i kënaqur me paraqitjen e Shqipërisë, thotë se Asllani & Broja janë talentët më premtues të kombëtares

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SportItalia” ku ka folur për eksperiencën e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, atmosferën fantastike të krijuar nga tifozët shqiptarë në Gjermani dhe për të ardhmen e trajnerit Silvinjo. Ai ka komentuar Kristjan Asllanin i cili ishte një titullar i padiskutueshëm…

Sport

04/07/2024 11:52

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SportItalia” ku ka folur për eksperiencën e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, atmosferën fantastike të krijuar nga tifozët shqiptarë në Gjermani dhe për të ardhmen e trajnerit Silvinjo.

Ai ka komentuar Kristjan Asllanin i cili ishte një titullar i padiskutueshëm i trajnerit Silvinjo, por edhe të ardhmen e Armando Brojës i cili përflitet për një transferim të mundshëm te Milani.

Duka u shpreh se ndonëse Shqipëria ishte në “grupin e Ferrit”, duhet të ndihemi krenarë për gjërat që arriti t’i bënte.

“Kombëtarja shqiptare ka bërë gjëra në këtë Euro 2024 për të cilat ne duhet të ndihemi krenar, pavarësisht se ishim në “grupin e ferrit”. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që dhanë kontributin e tyre në kualifikuese dhe ata që ishin pjesë e finaleve të turneut. Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë në të trija ndeshjet e grupit më përjashtim të rezultateve. Ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës krijuam raste dhe shanse për të marrë më shumë pikë dhe ishim në lojë për t’u kualifikuar deri në sfidën e fundit. Mund edhe ta kishim kaluar grupin me pak më shumë kujdes e zgjuarsi, por eksperienca vlen shumë në këto nivele për të menaxhuar situatat ku presioni është shumë i lartë. Për të mos harruar edhe tifozerinë shqiptare, që ka qenë fantastike gjatë Euro 2024, duke mbështetur skuadrën pa kursim si askush tjetër në këtë Europian”, tha ai.

Ai foli edhe për trajnerin Silvinjo duke thënë se megjithëse kontrata e tij me kombëtaren ka përfunduar pas Europianit, pritet që të vazhdohet bashkëpunimi.

“Trajneri i ka përfunduar kontrata pas Europianit, por ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se së shpejti do e finalizojmë, ne dëshirojmë ta vazhdomë bashkëpunimin. Sylvinho ka shkuar të pushojë disa ditë dhe javën tjetër do të takohemi sërish për të diskutuar këtë temë dhe për të vazhduar punën”,u shpreh Duka.

Për Dukën, Asllani ishte pa diskutim lojtari më i mirë i Europianit nga Kombëtarja shqiptare

“Kristiani është një nga talentet më premtues të Shqipërisë dhe ka potencial të jashtëzakonshëm, marzhe përmirësimi të mëdha teksa nuk i mungon teknika, vizioni dhe ambicia për t’u bërë lojtar i madh. E tregoi në Euro 2024 që nuk ka asgjë më pak se emrat e mëdhenj të futbollit europian që ju përmendët. Është ende i ri dhe i ka të gjitha shanset për t’u bërë lideri i Kombëtares shqiptare”, tha ai.

Duka foli edhe për Brojën dhe mundësitë e tij për t’u bërë pjesë e ekipit të Milanit.

“Armando Broja sigurisht është një nga talentet më të mëdha të gjithë historisë së futbollit shqiptar. Unë jam milanist (qesh). Edhe nëse Broja do të mbërrinte në Milanello do kënaqesha dy herë. Do të jetë pa diskutim goditja më e fortë që mund të bëjë Milani në merkato. Djali ka të dhëna të jashtëzakonshme, që mendoj se akoma nuk i ka shfaqur plotësisht. Ka nevojë të luajë me klubin dhe mendoj se Serie A dhe Milani paraqesin për të një mundësi e shkëlqyer për t’u ngjitur në majat e futbollit europian”, përfundoi Duka./Lajmi.net/