Duhet reformë e thellë

Leon Malazogu thotë se Kosova duhet të mbajë zgjedhje me Ligj të ri. Sipas tij Ligji për Zgjedhjet duhet t`i nënshtrohet një reforme të thellë e jo arnimit të ligjit aktual. Ai ka edhe propozime për reformë.

Lajme

08/12/2013 07:04

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm duhet të mbahen me ligj të ri, e jo reformë që i ngjan arnimit të Ligjit aktual.

Komentet e ekspertit për çështje zgjedhore Leon Malazogu për një reformë të thellë zgjedhore vijnë pas deklaratave të zyrtarëve të PDK`së dhe LDK`së  se Ligji aktual për zgjedhjet duhet t`i nënshtrohet vetëm një mini-reforme për shkak  se zgjedhjet nacionale pritet të zhvillohen më së largu në gjysmën e dytë të vitit.

Në një intervistë për lajmi.net, Malazogu ka thënë se e kupton mungesën e vullnetit të liderëve politikë për reformë thelbësore dhe sipas tij ndryshimet në ligj nuk mund të ndodhin për një kohë të shkurtër.

“Vendit i duhet një Ligj i ri i zgjedhjeve dhe jo vetëm arnim i pjesshëm i ligjit te tanishëm, edhe pse e kuptoj hezitimin e disa liderëve”.

“Nëse nuk ka pasur reformë për 3 vite, ata nuk guxojnë të presin se mund të këtë për disa muaj”.

“Duhet të bëhet e qartë se mungesa e reformave atëherë ishte për shkak te bllokadave dhe jo se kërkon aq kohë”.

“Kosovës i duhet një reformë e thellë zgjedhore që po të kishte gatishmëri dhe vullnet politik, do të mund të bëhej brenda një afati të shkurtër”.

Sipas Malazogut, me reformën e re duhet të krijohen 7 zona zgjedhore, përbërja e KQZ`së duhet të ndryshojë që të ketë pjesëmarrje 50 me 50 të pozitës dhe opozitës, si dhe pragu zgjedhor të ulet në 3 për qind.

“Këto pika nuk janë pjesë e reformës që ka filluar para dy vitesh por që është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike”, thotë Malazogu për lajmi.net.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës  Isa Mustafa  që duket se e ka mendjen te zgjedhjet e parakohshme, ka shfaqur qëndrimin e tij se se hapja e çështjeve të tjera në procesin e reformës zgjedhore do të sillte implikime të ndryshimeve në Kushtetutë, gjë që do të mund të merrte kohë.

Sipas tij, edhe pa ndryshime të mëdha esenciale, Kosova mund të zhvillojë zgjedhje me standarde të larta siç ishin ato të 3 nëntorit dhe 1 dhjetorit.

Ideja për ndryshime të lehta në kodin zgjedhor është mbështetur edhe nga PDK. Anëtari i Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore Behar Selimi,  në një intervistë për lajmi.net ka deklaruar dje se tashmë nuk ka kohë që të bëhet reformë zgjedhore në pikat ku preket Kushtetuta e vendit.