Duda Balje akuzon për manipulim të vendeve të rezervuara: Kandidatja Ena Kada Krasniqi nuk ka identitet boshnjak
Ish-deputetja e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, ka reaguar publikisht ndaj kandidaturës së Ena Kada Krasniqit për vendin e rezervuar të komunitetit boshnjak, duke e cilësuar atë si shkelje të parimeve të përfaqësimit autentik dhe tentim për të manipuluar vendet e garantuara për komunitetet pakicë. Në një deklaratë të detajuar, Balje ka paraqitur një…
Lajme
Ish-deputetja e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, ka reaguar publikisht ndaj kandidaturës së Ena Kada Krasniqit për vendin e rezervuar të komunitetit boshnjak, duke e cilësuar atë si shkelje të parimeve të përfaqësimit autentik dhe tentim për të manipuluar vendet e garantuara për komunitetet pakicë.
Në një deklaratë të detajuar, Balje ka paraqitur një sërë faktesh që, sipas saj, dëshmojnë se kandidatja nuk i plotëson kushtet ligjore e identitare për të garuar në këtë kategori. Sipas Baljes, Ena Kada gjatë gjithë jetës personale, arsimimit dhe karrierës profesionale “asnëherë nuk është deklaruar, prezantuar apo identifikuar si boshnjake”.
Balje thekson se në listën zgjedhore të vitit 2009 për Komunën e Istogut, kur kandidonte me AAK-në, Ena Kada figuronte e regjistruar si shqiptare — çka sipas saj konfirmon identitetin e saj të vazhdueshëm politik dhe shoqëror brenda komunitetit shumicë. Ajo shton se kandidatja nuk ka marrë pjesë kurrë në jetën kulturore, shoqërore apo politike të komunitetit boshnjak, nuk përdor gjuhën boshnjake dhe nuk figuron në regjistrat komunalë si pjesëtare e këtij komuniteti.
“Fakti që Ena Kada është e lindur në Bosnje ose që ka nënë me prejardhje boshnjake nuk e bën automatikisht pjesë të komunitetit. Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se përkatësia komunitare vlerësohet mbi identitetin personal, të shprehur publikisht dhe të qëndrueshëm, jo mbi prejardhje apo vendlindje,” thekson Balje.
Ajo madje përmend se familjarët më të afërt të kandidates vetëdeklarohen si shqiptarë dhe janë të angazhuar publikisht në institucione dhe parti politike shqiptare, gjë që sipas saj tregon mungesë totale të lidhjes identitare me boshnjakët.
Balje ka ngritur shqetësime edhe mbi atë që e quan “lëshim të dyshimtë të vërtetimeve për përkatësi kombëtare”, që sipas saj po shfrytëzohet për interesa politike dhe përfshirje artificiale në listat zgjedhore, duke rrezikuar drejtpërdrejt komunitetet pakicë.
Ajo sjell në vëmendje edhe një rast të mëparshëm nga viti 2021, kur PZAP kishte larguar kandidatin Emin Neziraj nga gara për vendin e rezervuar të boshnjakëve për mungesë të vazhdimësisë identitare. Sipas Baljes, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe tani.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me tentim për uzurpim të vendit të një komuniteti pakicë nga një kandidate e komunitetit shumicë. Kjo paraqet rrezik serioz për përfaqësimin e komuniteteve dhe duhet të ndalet,” përfundon reagimi i saj.
Deklarata e Baljes ka hapur debat të ri mbi mënyrën se si trajtohen vendet e rezervuara dhe mbi nevojën për të garantuar që ato t’u takojnë vërtet përfaqësuesve autentikë të komuniteteve pakicë në Kosovë. /Lajmi.net/