Dry e distancë për lojëra të fatit

Shpend Ahmeti bën të ditur që Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor e ka bërë gati planin për t’i mbyllur ose zhvendosur bastoret e kazinotë në Prishtinë. ATK, e cila rregullon këtë punë, mund të nisë aksionin qysh nesër.

Lajme

13/01/2014 16:21

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në emër të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka prezantuar hartën në të cilën ka shenjestruar kazinotë e bastoret dhe afërsinë e tyre me institucionet publike, shkollore e fetare.

Sipas ligjit të lojërave të fatit, që daton nga viti 2012, në Kosovë janë të specifikuara disa kushte për të cilat mund t’i jepet licencë dikujt dhe auditohen lojërat e fatit. Kompetencë kjo të cilën e bartë Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Shpend Ahmeti ka bërë të njohura disa nga dispozitat ligjore të cilat e kanë prekur shumë Komunën e Prishtinës.

“Ajo që neve na ka prekur më shumë si Komunë e Prishtinës, që e kemi thënë edhe në fushatë, janë disa dispozita ligjore që kërkojnë që kazinotë të jenë të larguara në 1.5 kilometra distancë minimale prej institucioneve publike, institucioneve edukativo-arsimore dhe institucioneve fetare. Ndërsa lojërat e fatit, si bastoret, duhet të jenë në një distancë së paku 500 metra prej po të njëjtave institucione”.

“Më 27 dhjetor të viti 2013 ne kemi pranuar një shkresë nga Administrata Tatimore përmes Ministrisë së Financave ku kanë kërkuar nga ne një hartë ku ne do të identifikonim të gjitha institucionet publike, institucionet shkollore dhe fetare në Komunën e Prishtinës, dhe ato të jenë me një radius prej 500 metrash në mënyrë që ATK të ketë më të lehtë identifikimin e lojërave të fatit në komunë që nuk do të duhej të ishin të hapura”.

“Në pikat ku i kemi shumicën e lojërave të fatit në Prishtinë, ato janë definitivisht më pak se 500 metrash, andaj ne me këtë shkresë ne i bëjmë thirrje ATK’së që sa më shpejtë të fillojë implementimin e ligjit, që të fillojë me mbylljen e lokacioneve apo zhvendosjen e këtyre lojërave të fatit në hapësirat ku do të ishte e lejuar sipas ligjit, e që fatkeqësisht për to, e fatmirësisht për Komunën tonë, janë hapësira të pakta dhe në distancë më të madhe nga institucionet shkollore”.

Nënkryetari i Komunës, njëherësh Drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Dardan Sejdiu, ka pohuar se lejet e punës që deri më tani janë dhënë do të rishikohen.

“Komuna e Prishtinës leje të punës për bastore, kazino dhe lojëra të fatit për vitin 2014 nuk ka lëshuar. Janë lëshuar leje punë për veprimtari afariste gjatë vitit 2013, disa prej tyre ende kanë afat. Por gjithsesi, këto leje të punës, përkatësisht në përputhje me ligjin do të rishikohen dhe do të zbatohet ky vendim i cili kërkon prej kuvendit të Prishtinës të veprojë sipas dispozitave të cilat janë paraparë në rreze prej 500 metrash prej institucioneve publike, institucioneve shkollore dhe fetare të mos ketë kazino, bastore apo lojëra tjera të fatit”.

ATK deri më tani nuk ka mbyllur asnjë bastore apo kazino në Komunën e Prishtinës, ngase ka pritur shkresën nga Komuna.

Komuna e Prishtinës tash pret nga ATK që të fillojë me zbatimin e ligjit në fjalë.