Drejtori i Policisë së Kosovës shkon në Beograd, i shoqëruar nga EULEX-i

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i shoqëruar nga zyrtar të lartë të EULEX-it do të realizojë një takim me homologun e tij në Beograd.

Lajme

10/03/2015 08:12

Kjo vizitë bëhet me synimin e avancimit të bashkëpunimit policor me të gjitha shtetet e rajonit, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.

Bashkëpunim i të gjitha shteteve rajonale ndërlidhet edhe me politikat e BE-së në kuadër të iniciativave rajonale.

“Bashkëpunimi policor me të gjitha shtetet e rajonit në përgjithësi e në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar trans kufitar, dhe dukurive tjera negative, ka qenë, është dhe do të jetë prioritet strategjik i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Javë më parë, Maxhuni, për shkaqe politike, kishte anuluar një vizitë në Beograd, ku planifikohej takimi mes drejtorëve të policisë së Kosovës, Hungarisë dhe Gjermanisë.

Ky takim kishte si qëllim bashkëpunimin për të penguar migrimin ilegal të shtetasve të Kosovës përmes Serbisë drejtë Hungarisë dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian.