Drejtori i Ortopedisë kanosë me revole një shofer autobusi

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK Arbër Tolaj është arrestuar e më pas liruar, pasi me revolen e tij “Sing Sauer”, e ka kanosur një shofer autobusi.

Lajme

19/10/2015 10:30

E gjithë ngjarja ka ndodhur si rezultat i një mosmarrëveshjeje në komunikacion mes Tolajt dhe shoferit, kur Tolaj kishte dalë nga vetura për t’ia nxjerrë pastaj revolen shoferit të autobusit.

Arrestimi i Tolajt është bërë fundin e javës që shkoi derisa në QKUK konfirmojnë se të premten janë informuar nga Policia që Tolaj është arrestuar.

“Arrestimin na e ka konfirmuar Policia. Ngjarja ka ndodhur jashtë QKUK-së dhe nuk lidhet me QKUK-në”, ka thënë të hënën për “Zëri”, zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu.

Sipas tij, informatat tjera për rastin duhet kërkuar tek Policia dhe Prokuroria. Ndërkohë në raportin e datës 15 tetor Policia e Kosovës ka raportuar edhe rastin e kanosjes ku thuhet se është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar pasi i njëjti nga vetura e tij ka kanosur viktimën mashkull K/Shqiptar duke i drejtuar armën revole deri sa viktima ishte duke ngasur autobusin e tij.

 

“Nga i dyshuari është konfiskuar arma e tipit ‘Sing Sauer’ dhe 14 fishekë të cal.9 mm, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Gazeta ka kontaktuar me Tolajn, i cili ka konfirmuar se tashmë është liruar nga paraburgimi, duke mohuar që ai kishte nxjerrë revolen. “Një aksident ka ndodhë në rrugë. Kemi pasë një mosmarrëveshje. Mundeni me ardhë me bisedu…”, ka thënë Tolaj./ Zëri