Drejtori i ATK-së paralajmëron lehtësira tatimore për bizneset

Në vazhdën e vizitave që po iu bën bizneseve drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, u ndal edhe në industrinë e përpunimit të drurit “Ciao Berto”.

Lajme

30/09/2020 13:08

Murtezaj u njoh për së afërmi me problemet që janë ballafaquar kompanitë vendëse gjatë pandemisë.

Ai me këtë rast u zotua se do të mundësojnë lehtësira tatimore në kuadër të ndryshimeve ligjore që do të bëjnë në të ardhmen.

“Në përzgjedhjen e OEK-ut janë përzgjedhur këto biznese karakterit prodhues dhe investitorëve të mëdhenj. Sot jemi tek ‘Ciao Berto’ prodhues i përmasave të mëdha të nivelit të Kosovës, ku pamë nga afër procesin e prodhimit pastaj edhe i dëgjuam problemet që i kanë në raport më të bërit biznes”.

“Ne si institucion dihet që jemi agjencion ekzekutiv të cilët nuk mund të bëjmë më tepër në procesin e ndryshimit të ligjit, mirëpo kemi marrë si zotim para bizneseve që bazuar në kapacitetet ligjore të bëjmë lehtësira të shtuar tatimore. Ne si institucion kemi evoluar në aspektin e konsolidimit të shumë funksioneve brenda ATK-së, me këtë rast edhe në sistemin e rritjes së avancimit të uljes së ndikimit njëri”.

E kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi, tha se janë duke shikuar mundësinë të daljes nga kriza me përkrahje të drejtpërdrejtë me kompanitë me pjesën e pagave, raporton Ekonomia Online.

“Jemi këtu për ta ofruar përkrahjen tonë por në njëjtën kohë për të shikuar mundësi për lehtësira sidomos tani kur shumica e kompanive po ballafaqohen me krizë jashtëzakonisht nga pandemi. Ne jemi duke punuar që të gjejmë forma të daljes së drejtpërdrejtë financiare dhe është me rëndësi që të implementohet faza e fundit, që ka të bëjë me përkrahje të drejtpërdrejtë me kompanitë me pjesën e pagave”.

Njëri nga pronarët e “Ciao Berto”, Bashkim Krasniqi, falënderoi Murtezajn e Rukiqit për këtë vizitë, teksa tha se kompania e tyre ka pësuar rënie deri në 20 për qind të eksportit.

“Ne sado pak i informuam me vështirësitë në lojën e pandemisë kompania jonë ka pasur. Ne gjatë kësaj vizitë u munduam që t’iu tregojmë problemet dhe që të na ndihmojnë sado pak në rimëkëmbjen ekonomike, ku biznesi jonë ka pasur rënie deri në 20 për qind të eksportit”, tha Krasniqi.

Fillimisht Murtezaj dhe Rukiqi kanë vizituar punimet në ndërtimin e qendrës tregtare “Prishtina Mall”.