Dramë në një traget në Indonezi, disa pasagjerë kërcyen në det nga fika e infeksionit me Covid-19

Nga frika se anëtarët e ekuipazhit janë infektuar me Covid-19, disa nga pasagjerët kërcyen në det.

Fun

09/04/2020 14:33

Disa pasagjerë që po udhëtonin me një traget në Indonezi, kanë kërcyer në ujë duke notuar deri në brigje, pasi që autoritetet janë munduar ta bllokojnë para se të arrijë në port pasi dyshohej se disa anëtarë të ekuipazhit janë infektuar me koronavirus.

Trageti kishte mbetur i bllokuar derisa po tentonte t’i afrohej portit Maumere në lindje të Flores, nga frika se tre anëtarë të ekuipazhit kanë infektuar pasagjerët.

Megjithatë, disa pasagjerë kërcyen në det dhe notuan deri në brigje, duke mos dashur t’i ekspozohen virusit por as edhe karantinimit në anije.

“Lusim pasagjerët të bashkëpunojnë bazuar në protokollin e ministrisë së Shëndetësisë, para se të dalin nga anija dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi që do të ishte i rrezikshëm për të gjithë”, ka deklaruar Visnu Handoko, zyrtar i ministrisë së Trafikut, pak momente para disa pasagjerë të kërcenin në det, transmeton Telegrafi.

Trageti po transportonte 225 pasagjerë, kryesisht punëtorë që po ktheheshin në shtëpi nga Malajzia, pasi shteti fqinj kishte mbyllur kufijtë e saj për shkak të koronavirusit. Por, në fund tragetit i është lejuar të ndalet në port, kurse pasagjerët janë futur në karantinë në një objekt afër portit.

Deri më tani Indonezia ka regjistruar 2.956 raste me Covid-19, kurse 240 tjerë kanë humbur jetën. Numri më i madh i rasteve të konfirmuara janë regjistruar në Xhakarta.