Dosja e Prokurorisë | Nipi i Fetah Paqarizit i dha 50 euro komisioneres dhe kërcënoi kryesuesen gjatë numërimit
Granit Paçarizi, nipi i Fetah Paçarizit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, është njëri nga 23 personat ndaj të cilëve është kërkuar masa e paraburgimit në lidhje me manipulimin e falsifikimin e votave në Prizren. Ai po dyshohet se në cilësinë e vëzhguesit ka kryer dy vepra penale, ka kanosur një kryesuese të Komisionit…
Lajme
Granit Paçarizi, nipi i Fetah Paçarizit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, është njëri nga 23 personat ndaj të cilëve është kërkuar masa e paraburgimit në lidhje me manipulimin e falsifikimin e votave në Prizren.
Ai po dyshohet se në cilësinë e vëzhguesit ka kryer dy vepra penale, ka kanosur një kryesuese të Komisionit për Numërim dhe i ka dhënë ryshfet një komisioneres.
KALLXO.com ka siguruar dokumentin në të cilin shpjegohet edhe veprimtaria për të cilën dyshohet Granit Paçarizi në këtë proces.
Nipi i Fetah Paçarizit dyshohet se më 01.01.2026, në cilësinë e vëzhguesit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë dyshohet se kishte dhënë dhuratë të paarsyeshme një prej kryesueseve të Komisionit për Numërimin e Votave.
A.Vorfi dyshohet se më 01.01.2026 rreth orës 22:00 derisa ka qenë duke dalë jashtë objektit të QNR-së, Granit Paçarizi po dyshohet se i kishte dhënë 50 euro të njëjtës e kjo e fundit i kishte pranuar.
Në dosje pretendohet se duke pranuar dhuratën, dyshohet se i ka lejuar Granit Paçarizit të evidentojë një numër të madh të votave në sistem nga llogaria e saj. E për këto veprime, Granit Paçarizi po dyshohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit.
Përveç dhënies së ryshfetit, Granit Paçarizi po dyshohet edhe për kanosje në cilësinë e vëzhguesit.
Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, Paçarizi në cilësinë e vëzhguesit në Prizren më 30.12.2025 dyshohet se me dashje serioze kishte kanosur një person tjetër me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit. Paçarizi po dyshohet se kanosi kryesuesen e Komisionit për Numrimin e Votave, S.Vebic.
Sipas dosjes gjithmonë, Paçarizi kishte kërkuar nga kryesuesja e komisionit që kur të fillojë numërimi i votave të kandidatëve të subjektit politik PDK, të dalë jashtë deri sa të lexohen votat e atij subjekti.
Sipas dosjes, ajo nuk kishte pranuar dhe i kishte thënë “çka po doni prej meje, a me lanë punën këtu unë a?” ndërsa Paçarizi i kishte kthyer përgjigje “po, shko në shtëpi”.
Për këtë situatë kryesuesja e komisionit i kishte njoftuar edhe përfaqësuesit e subjektit politik të cilës i takonte, duke kërkuar edhe dorëheqjen nga funksioni.
E njëjta ditën tjetër nuk ishte paraqitur më në QNR.
Në Komunën e Prizrenit janë shfaqur dallimet më të mëdha te kandidatët për deputetë pas procesit të rinumërimit.
Fetah Paçarizi nga PDK është njëri ndër kandidatët për deputetë që ka humbur më së shumti vota pas rinumërimit të 58% të vendvotimeve, ka humbur 6,751 vota.