“Dosja 339”, Vangjush Dako thirret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Në kulmin e debatit politik dhe kur prej kohësh opozita ka hedhur akuzat ndaj kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ky i fundit është thirrur nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Lajme

18/05/2019 20:05

Mësohet se Dako është pyetur  të enjten nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

Dako është akuzuar nga opozita se ka blerë votat në Durrës në bashkëpunim me bandën Avdylaj. Madje PD i është referuar përgjimeve të dosjes 339 të Durrësit, ku ai bisedonte me të ashtuquajturin Nçja. Për këto përgjime më herët Dako është shprehur se ai ka biseduar si me çdo zgjedhës dhe se nuk bëhet fjalë për blerje apo shitje të votave.

Po sot Gjykata për Krimet e Rënda refuzon kërkesën për lirim nga qelia të Altin Avdylit, i njohur si Niçja, i arrestuar si pjesë e grupit të Shijakut të akuzuar për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.