Dorëheqjet s’po ndalen në Guxo, ku është Faton Peci që s’po e thotë asnjë fjalë?

Subjekti politikë “Guxo” është duke u përballur me një valë të dorëheqjeve ditëve të fundit. Krejt kjo si pasojë e mosveprimit që t’i dalin në mbështetje presidentes së vendit, Vjosa Osmani që është edhe themeluese e këtij subjekti, transmeton lajmi.net. Përveç që nuk i dolën në mbështetje pas linçimeve nga Lëvizja Vetëvendosje, “Guxo” as nuk…

Lajme

12/03/2026 22:58

Subjekti politikë “Guxo” është duke u përballur me një valë të dorëheqjeve ditëve të fundit.

Krejt kjo si pasojë e mosveprimit që t’i dalin në mbështetje presidentes së vendit, Vjosa Osmani që është edhe themeluese e këtij subjekti, transmeton lajmi.net.

Përveç që nuk i dolën në mbështetje pas linçimeve nga Lëvizja Vetëvendosje, “Guxo” as nuk dolën hapur në përkrahje që ajo të ketë një mandat të dytë.

Në gjithë këto zhvillime brenda Guxo vetëm një personi nuk është duke iu dëgjuar zëri, Faton Pecit, i cili është njëri nga dy kryetarët e këtij subjekti.

Dorëheqja e Haxhi Avdylit 

Deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga lista GUXO me datën 9 mars.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një deklarate në rrjetet sociale. Deputeti ku ka theksuar se është kundër sulmeve dhe akuzave që po i bëhen presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Avdyli ka bërë të ditur se, në shenjë proteste dhe për të mos u identifikuar me atë që e quajti një fushatë të ulët kundër presidentes, ka vendosur të japë dorëheqje të parevokueshme nga partia.

“Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndrroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës”, ka shkruar ai.

Në lidhje me këtë dorëheqje Guxo reagoi me një komunikatë, duke pranuar dorëheqjen e Avdylit. Por, këtë komunikatë as që e ka bërë “share” Peci.

Dorëheqja e Kujtim Hajdës

Një ditë pas dorëheqjes së Avdylit, anëtari i Kryesisë Qendrore të partisë Partia GUXO, Kujtim Hajdaj, kishte njoftuar se ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar aktivitetin e tij politik brenda kësaj partie.

Përmes një reagimi publik, Hajdaj kishte bërë të ditur se vendimi lidhet edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë publikisht presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me disa rrethana të tjera që, sipas tij, janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë.

“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtar i kryesisë qendrore dhe si koordinator i saj jashtë Kosovës”, kishte shkruar Hajdaj.

As për këtë dorëheqje s’ka bërë asnjë reagim Faton Peci, duke qëndruar indiferent karshi zhvillimeve.

Dorëheqja e komplet degës së Guxo në Deçan

Komplet anëtarësia e partisë GUXO në Deçan, sot kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt.

Kjo bashkë me kryesinë dhe kryetaren. Lajmin e ka bërë të ditur Rabije Haklaj, kryetare e degës së Guxo në Deçan.

Ajo ka thënë se refuzimi ndaj presidentes Osmani për kandidate sërish, është arsyeja kryesore.

As për këtë ngjarje, Faton Peci s’ka bërë zë./lajmi.net/