Dorëheqja e Rektorit s’ka alternativë

Jonuz Salihaj mendon se degradimi i UP`së ka filluar që nga qeverisja e PDK`së. Thotë se Rektori Gashi nuk ka tjetër opsion përpos dorëheqjes. Ndërsa veprimet e djeshme të forcave policore ndaj studentëve i quan të papranueshme.

Lajme

30/01/2014 06:48

Eksperti i Arsimit, Jonuz Salihaj ka thënë se degradimi i Universitetit të Prishtinës, ka filluar që nga qeverisja e PDK`së dhe pikën kritike e ka arritur me menaxhmentin e kaluar.

Deklaratat e Salihajt vijnë në kohën kur Rektorati i Universitetit të Prishtinës është pushtuar nga protestat e studentëve, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Në një prononcim për lajmi.net, Salihaj, i cili është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  është shprehur se ka mungesë strategjie për kalimin e situatës që është krijuar dhe sipas tij, përmirësimi i gjendjes në Universitetit “Hasan Prishtina” me qeverisjen aktuale është dëshpëruese.

“Degradimi i UP-së ka filluar me qeverisjen e PDK-s  nga viti 2008 dhe ky proces ka kulmuar me menaxhmentin e kaluar, por kurba e këtij procesi po vazhdon rënien  me intensitet të njëjtë.

“Kur kësaj i shtohet mungesa e strategjive dalëse nga situata e krijuar,  në të cilën gjendet sistemi arsimor në përgjithësi dhe ai i larti në veçanti, atëherë të gjithë e dinë se prognoza e  për rehabilitimin e UP-së me këtë Qeveri është dëshpëruese”.

Skandalet, të cilat e kanë kapluar Universitetin sipas Salihajt,  vijnë si pasojë e politizimit të skajshëm, nepotizmit, devalvimit ekstrem të procesit të vlerësimit, mungesës së teksteve universitare, mosrespektimit të orarit të ligjëratave nga mësimdhënësit, dhe mbipopullimit të hapësirave universitare.

Aferat në UP plasën para dy muajsh kur 11 asistentë të fakultetit të Mjekësisë dhe të Edukimit u arrestuan duke vazhduar me parregullsitë në konkursin e doktoraturës dhe kulmuan me avancimet në grada akademike me punime të rreme  të rektorit Ibrahim Gashi.

Pavarësisht kësaj Salihaj mendon se rektori Gashi është munduar t`i stopoj disa procese, megjithatë ai mendon se opsioni më i mirë i mundshëm është dorëheqja.

“Rektori Gashi e ka trashëguar këtë gjendje në UP dhe ka provuar të stopoi disa procese që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, siç ishte angazhimi i mësimdhënësve në dy e më shumë institucione, por  kur ky proces filloi  t’i prek edhe bosat që e kanë emëruar në postin e tanishëm dhe si  pasojë, nisma dështoi”.

“Pra nuk ka mundësi të zbatohen politika efektive në udhëheqje me duar të lidhura, pa autonomi substanciale. Tani gjendja është e pa shpresë sepse nuk ka opsion tjetër përveç dorëheqjes si akt moral”.

Salihaj gjithashtu ka potencuar se ka ndërhyrje klasike të politike në strukturat e UP`së.

“Ndërhyrja është klasike në të gjitha segmentet e UP-së dhe kjo mund të dëshmohet lehtë. Mjafton të analizohet mënyra e regjistrimit të studentëve në fakultetin e Mjekësisë ku ka ndodhë trefishimi i numrit të tyre jashtë konkursit, shkelja e konkursit për studime të doktoraturës, avancimet në grada akademike me punime të rreme”.

Protestat e djeshme para dyerve të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, rezultuan me arrestimin e 27 studentëve nga Policia e Kosovës. Por veprimet e zyrtarëve policor për Salihajn janë të papranueshme.

“Protesta e studentëve është e ligjshme dhe përdorimi i forcës është i papranueshëm. Në një situatë normale kërkesat do të duhej të adresoheshin zyrtarisht nga përfaqësuesit e zgjedhur të studentëve,  por ata në vend që të përfaqësojnë në mënyrë të denjë interesat madhore të tyre si kandidatë të zgjedhur,  kanë manipuluar me besimin e marrë dhe janë vënë në kulmin e piramidës së shkeljeve ligjore për qëllime të ngushta personale”, thotë Salihaj për lajmi.net.