Dixon sfidon ZPS-në në Hagë: Asnjë provë që Veseli ka vepruar kundër oponentëve

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot me fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke sulmuar fuqishëm argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke mbrojtur ish-eprorin e UÇK-së. Dixon kritikoi përdorimin e paragrafit 508 nga prokuroria, i cili pretendon se shërbimi i zbulimit kundër zbulimit ka qenë thelbësor për…

Lajme

12/02/2026 12:43

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vazhduar sot me fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale, duke sulmuar fuqishëm argumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke mbrojtur ish-eprorin e UÇK-së.

Dixon kritikoi përdorimin e paragrafit 508 nga prokuroria, i cili pretendon se shërbimi i zbulimit kundër zbulimit ka qenë thelbësor për operacionet e UÇK-së dhe për përgjegjësinë e Veselit: “ZPS ka guxim dhe thotë që shërbimi zbulim kundër zbulimit ishte thelbësor për mundësinë e UÇK-së për të kryer operacionet e veta kundër oponentëve, dhe që Veseli ishte përgjegjës. Por kur lexoni intervistën e Veselit në vitin 2009, nuk do të gjeni asnjë referencë për oponentët. Asnjëherë nuk janë përmendur – absolutisht nuk ka asnjë provë.”

Ai theksoi se prokuroria ka përdorur të njëjtën intervistë për të mbështetur pretendime për bashkëpunim kolektiv dhe për veprimtari kundër oponentëve, por kjo nuk gjendet në fakte: “Ata vendosin një poshtë-shënim për të mbështetur pretendimet e tyre, por nuk ka asnjë referencë të vetme që tregon se Veseli ka vepruar kundër oponentëve. Kjo është krejtësisht e pabazuar.”

Sipas Dixon, kjo tregon qartë se ZPS po interpreton dhe manipulon provat në mënyrë të njëanshme për të ndikuar në perceptimin e përgjegjësisë së ish-eprorit të UÇK-së, duke sfiduar kështu qëndrueshmërinë e akuzave ndaj Veselit, shkruan lajmi.net.

Në vazhdim të fjalës së tij, Dixon pritet të theksojë edhe mungesën e provave të tjera që lidhin klientin e tij me veprimtari kriminale gjatë luftës, duke forcuar pozicionin e mbrojtjes për pafajësinë e tij. /Lajmi.net/