Ditë të ftohta për Metallica

21:00 | 26 Tetor 2013

Metallica

Koncerti i parë në historinë e Antarktikut mbahet këtë dhjetor. Mirëpo, në kontinentin e akullt nuk do të jehojë kënga, s’do të ketë zmadhuese të zërit. Metallica do t’i këndojë publikut – në vesh.

Bendi e ka konfirmuar vendimin që të mbajë koncert në kontinentin e akullt. Duke i pasur parasysh kushtet e veçanta klimatike dhe vështirësitë e transportimit të mjeteve të rënda, do të performojë pa zmadhuese të zërit.

Rockerët amerikanë udhëtojnë në bazën hulumtuese argjentinase Carlini për të kënduar aty më 8 dhjetor. Bashkë me ta do të jetë edhe një grup i fituesve të një loje shpërblyese, që do të kenë fat të marrin pjesë në aventurën 10 ditore nëpër Antarktik.

“Është një udhëtim për në fundin e botës. Do të bëjmë muzikë brenda një kupole. Koncerti do t’i transmetohet publikut me anë të dëgjueseve individuale, pa zmadhues. Kjo është hera e parë që e bëjmë një gjë të tillë”.

Nunatak nxehen para këndimit mbi akull.

Për fansat tjerë që jetojnë në pjesë më të zakonshme të planetit, koncerti mund të ndiqet drejtpërdrejt në web sajtet coca-cola.tv dhe coca-cola.fm. Në të ardhmen, Metallica planifikon t’i shndërrojë xhirimet në film për koncertin e parë të mbajtur ndonjëherë në Antarktik.

Kontinenti i Antarktikut nuk ka popullsi të veten, prandaj banorët e tij janë pjesëtarë të ekspeditave shkencore që vijnë nga vende të ndryshme.

Asnjë bend i huaj nuk ka performuar këtu deri më tash. Hera e vetme që dikush ka kënduar publikisht ka qenë kur pesë shkencëtarë britanikë që kishin ardhur për t’i studiuar ndryshimet klimatike, formuan bendin Nunatak dhe performuan në ngjarjen globale Live Earth, në vitin 2007.

A.M.

 

Metallica – The Unforgiven (Live in Seoul, 2006)