“Ditë e rëndë”, Jashari reagon për vdekjen e kosovarëve në Vjenë e Skenderaj dhe rastin e 5-vjeçarit

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari ka shkruar për tri ngjarjet e rënda që tronditën sot opinionin kosovar. Ajo ka shprehur fillimisht ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Miftar Lushtaku, i cili humbi jetën këtë mbrëmje në Skenderaj, pasi u godit nga një veturë. “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Lushtaku për humbjen e…

Lajme

17/03/2026 23:50

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari ka shkruar për tri ngjarjet e rënda që tronditën sot opinionin kosovar.

Ajo ka shprehur fillimisht ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Miftar Lushtaku, i cili humbi jetën këtë mbrëmje në Skenderaj, pasi u godit nga një veturë.

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Lushtaku për humbjen e të dashurit të tyre, profesorit Miftar Lushtaku. Dhimbja e humbjes së një të dashuri në rrethana të tilla është e paimagjinueshme, dhe kjo tragjedi na bën të reflektojmë për më shumë kujdes në komunikacionin rrugor dhe përgjegjësi kolektive”, ka shkruar Jashari.

Ngushëllime, deputetja ka shprehur edhe për vdekjen tragjike të kosovarëve në Vjenë të Austrisë.

“Një tjetër ngjarje tragjike që na ka tronditur janë katër shqiptarët nga Kosova që humbën jetën në mënyrë tragjike në Vjenë të Austrisë. Shpreh ngushëllimet më të thella për familjarët e tyre për këtë humbje të madhe”.

Një tjetër rast që tronditi vendin ishte ai i 5-vjeçarit në Janjevë të Lipjanit.

Jashari, tha se është urgjente që të gjithë mekanizmat e shtetit të aktivizohen pa humbur kohë për mbrojtjen dhe mirëqenien e këtij dhe të tjerëve fëmijë në rrezik.

“Këto tri ngjarje të rënda sot janë një thirrje e qartë për veprim të shpejtë, për më shumë përgjegjësi dhe përkujdesje ndaj jetës së çdo qytetari!”, përfundoi ajo.