Disa koncepte për precizitetin gjuhësor të Unionit Evropian

Mbi etimologjinë, linguistikën dhe diskursin publik në gjuhën shqipe të përdorimit të saktë të gjuhës traktatore – Union Evropian.

Opinion

04/03/2014 19:24

Në diskutimet e panumërta mbi etimologjinë e fjalës “Evropë”, shembulli më predominant që buron nga konteksti, është ai i poemave të Homerit, i cili duke trajtuar mbinjeriun e tij të plotëfuqishëm e kishte përshkruar Zeusin – përvec si Zot të tijin dhe të gjithckaje tjetër metafizike – edhe si një EUROPOS. Sipas rregullit, ‘europos’ i bie të jetë një adjektiv (mbiemër) që kuptohet si “dikush që sheh shumë larg,” ose “si zotërues dhe vizionar absolut.” Më pastaj siç njihet mirëfilli, kjo ka kulmuar me vlerësimin e tij për Zeusin si “Zot të zotërave”.

Ky shpjegim merret në esencë si etimologjia më e saktë e krijimit të asaj që sot njihet, jo vetëm si kontinent, por gjeopolitikisht si Evropë gjeografike që kulmoi në vitin 1951 me Unionin Evropian – si bashkësi ekonomike dhe politike.

Në gjuhën shqipe, në mënyrë kontradiktore vazhdon të përdoret emërtimi për organizatën supranacionale evropiane, si Bashkim Evropian në vend të korrektësisë linguistike – Union Evropian, të cilën e përdorin jo vetëm të njëzetë e tetë kombet/shtetet anëtare të saj por, edhe gjuhët e tyre të komunikimit akademik dhe publicistik (kuptohet me mediat si faktor primar).

 

“Unioni Evropian” – gjuhë traktatore

Në Maastricht (Holandë) në vitin 1993, është nënshkruar Traktati për themelimin e Unionit Evropian, i cili deri atëherë është quajtur në vijimësi ose si, Bashkësia Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, e më pastaj pas Traktatit të Romës (1957) si Bashkësi Ekonomike Evropiane. Nga ky vit pra (1993) ka pushuar së ekzistuari dhe së quajturi në të gjitha gjuhët zyrtare, si Bashkësi – e cila fjalë e ka derivuar në shqip atë “Bashkim”, për shkaqe të themelimit zyrtarisht të Unionit Evropian të sotshëm. Me fjalë të tjera, Unioni asnjëherë nuk është konceptuar si Bashkim ngaqë një fjalë e tillë nuk asocon analogjikisht me SHBA’të, përkthimi i së cilës: “United States” në “Shtete të Bashkuara” në shqip është i saktë.

Esenca linguistike ka të bëjë këtu me përdorimin joadekuat të fjalës Bashkim në vend të terminologjisë, e cila juridikisht është detyruese me traktatet e saja, si Union. Përkthimi literal që i jep shkas përdorimit më të saktë në shqip të fjalës Union buron edhe nga përkthimi zyrtar i fjalorit të Oxfordit – që merret si burim primar terminologjik – i cili rrjedh nga latnishtja e vjetër kishtare “unus” e cila, ndërkaq, në shqip empirikisht përkthehet në togfjalëshin, “një – si i vetëm”.

Sipas kësaj del që në gjuhën shqipe, përdorimi si Union në vend të Bashkim, është më i drejt për arsye kryekëput të gjuhës traktatore të cilën e përdor UE-ja dhe shtetet anëtare të saja. Për arsye se traktatet në të Drejtën e UE-së janë burim juridik primar, atëherë ngjashëm do të duhej të përdoret edhe në gjuhën tonë si Union për arsye të përshtatshmërisë dhe konceptit gjuhësor.

Kjo gjuhë gjithashtu është në përdorim zyrtar edhe nga ana e të gjitha institucioneve të UE-së në përdorim të tyre të brendshëm si dhe në komunikimin/korrespondencën e tyre të jashtme diplomatike me shtetet joanëtare dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në konkluzion të kësaj, vërejmë që asnjë gjuhë e rajonit (në Ballkanin Perëndimor) nuk i referohet ndryshe përveç se si Union Evropian. Kjo nënkupton arsyen që lingustika shqipe do të duhej ta pranonte (veçanërisht në përkthimet zyrtare te saja dhe në komunikimet e brendshme) si UE – për shkaqe të paprecizitetit, papërsosshmërisë dhe joadekuatitetit të përdorimit të Bashkimit Evropian.

 

Qasja federaliste: Shtetet e Bashkuara të Evropës

Dilemat supranacionale (mbikombëtare) që e karakterizojnë UE-në e sotme janë kryesisht të konceptit federalist. Nëse një ditë të gjitha shtetet në vend të kësaj mbikombëtareje dhe bartjes së një pjese të sovranitetit të tyre do ta dergonin drejt një Unioni federal Evropian, atëherë trumbetimi më i madh teorik që bëhet është ai i krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës.

Këtu qëndron dallimi gjuhësor, meqë tash nuk do të mund të quhej ndryshe, jo vetëm për krahasim me SHBA’të por, edhe për shkak të frymës federaliste të cilën do ta bartte Unioni. Për shkak se kjo është një dileme hamletiane dhe koncept i papërkrahur politik, UE-ja do të vazhdojë të prodhojë Traktate në vend të Kushtetutës, ndërkaq rregullore dhe direktiva ne vend të ligjeve të saj (ndonësë krahasimisht të njëjta për nga fuqia, ndërsa për nga sovraniteti lënë shumë për të dëshiruar).

Edhe Kushtetuta për Evropën – e mbetur vetëm në letër (e hedhur poshtë në themel me referendum nga qasjet sovranizuese të Francës dhe Holandës), – e njeh gjuhën juridike unijësuese të identifikimit të organizatës dhe tregut më të madh ekonomik në botë, si Union Evropian.

 

(Autori është ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)