Disa hapa praktikë për luftimin e trendëve të rrezikshëm nga TikTok-u

Në shoqërinë e sotme, të ndikuar nga mediat sociale, joshja nga tendencat në internet mund të çojë shpesh edhe në veprime me pasoja të rrezikshme. Gjatë muajit të fundit, së paku në dy komuna të Kosovës – Kamenicë dhe Gjakovë – nxënës të disa shkollave fillore, të frymëzuar nga disa video në TikTok, janë vetëlënduar.…

Lajme

26/10/2024 17:21

Në shoqërinë e sotme, të ndikuar nga mediat sociale, joshja nga tendencat në internet mund të çojë shpesh edhe në veprime me pasoja të rrezikshme.

Gjatë muajit të fundit, së paku në dy komuna të Kosovës – Kamenicë dhe Gjakovë – nxënës të disa shkollave fillore, të frymëzuar nga disa video në TikTok, janë vetëlënduar.

Për raste të ngjashme, Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe në qershor – atëkohë në shkolla të Fushë Kosovës dhe Lipjanit.

“Këto raste nuk do të kalojnë vetvetiu, nëse nuk adresohen”, thotë psikologu Aliriza Arënliu.

Por, si?

Në Gjakovë, nxënësve u është ndaluar përdorimi i telefonave në shkollë, thotë për Radion Evropa e Lirë Erada Kumnova – Baçi, udhëheqëse e Drejtorisë për Arsim në këtë komunë.

Sipas saj, në të gjitha shkollat e komunës janë mbajtur edhe mbledhje urgjente të mësimdhënësve dhe stafit drejtues, bashkë me prindërit e nxënësve. Të pranishëm kanë qenë, po ashtu, edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“… për të biseduar me prindër dhe për t’iu thënë që të kenë kontroll të shtuar te fëmijët dhe përdorimi i rrjeteve sociale nga ta. Ne e dimë që filli i kësaj ‘loje’ ka nisur nga rrjetet sociale”, thotë Kumnova – Baçi.

Sipas saj, bëhet fjalë për së paku 22 nxënës të vetëlënduar në disa shkolla fillore të Gjakovës, më herët këtë muaj.

“Nga ekzaminimet mjekësore, ka raste që janë vetëlënduar vetëm në duar, por ka raste që janë vetëlënduar edhe në pjesë të tjera të trupit”, thotë ajo.

Në Kamenicë, prindërit e nxënësve filloristë janë thirrur, po ashtu, në mbledhje.

Udhëheqësi i Drejtorisë për Arsim në këtë komunë, Afrim Dervishi, thotë se “lojërat e rrezikshme” të nxënësve në internet, kanë ndezur alarmin.

“Ka qenë një lloj gare, përmes së cilës ata kanë dashur të provojnë se cili mund të rrijë më gjatë pa marrë frymë”, tregon Dervishi, duke shtuar se në këtë lloj sfide, kanë marrë pjesë rreth 20 nxënës.

“Roli dhe funksioni që mund të kryejnë prindërit për t’i eliminuar këto fenomene, janë të pashmangshëm”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të bjerë në kontakt me prindër të ndonjë fëmije të vetëlënduar, por pa sukses.

Përmbajtja potencialisht e dëmshme në TikTok

TikTok-u është një platformë në rrjetet sociale, përmes së cilës përdoruesit mund të krijojnë, shpërndajnë dhe shikojnë video të shkurtra.

 

Një studim i Qendrës amerikane Kundër Urrejtjes Digjitale, i publikuar në fund të vitit 2022, ka gjetur se TikTok-u shtyn përpara përmbajtje të dëmshme, që promovojnë çrregullime në të ngrënë dhe vetëlëndime.

Sipas këtij studimi, mund të duhen më pak se tre minuta pasi të futeni në TikTok, për të parë përmbajtje në lidhje me vetëvrasjen dhe rreth pesë minuta të tjera për të gjetur një komunitet që promovon përmbajtje me çrregullime në të ngrënë.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi kompaninë kineze që zotëron TikTok-un, ByteDance, por nuk mori përgjigje.

Në një deklaratë për CNN-in në dhjetor të vitit 2022, një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se kompania është në “konsultime të rregullta me ekspertë shëndetësorë” dhe largon çdo përmbajtje që shkel politikat e saj të sigurisë.

Muajin e kaluar, kompania Meta – që zotëron Facebook-un, Instagram-in, Threads-in dhe WhatsApp-in – ka njoftuar se ka bashkuar forcat me platformat Snapchat dhe TikTok, për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve që promovojnë vetëvrasje ose vetëlëndime.

Kumnova – Baçi dhe Dervishi thonë se masat e ndërmarra prej tyre, janë në përputhje me Udhëzimin Administrativ: Edukimi për mbrojtjen e fëmijës.

I hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), ky udhëzim ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti.

Qëllimi i këtij udhëzimi thuhet se është “përcaktimi i roleve, organizimit, funksionimit, bashkëpunimit, detyrave dhe përgjegjësive për të gjitha institucionet edukative-arsimore dhe aftësuese në edukimin për mbrojtjen e fëmijës”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për efektivitetin e këtij udhëzimi, MASHTI tha se, aktualisht, stafi i kësaj ministrie është duke mbajtur seanca informuese me komunat, në lidhje me mënyrën se si të zbatohen dokumentet në fuqi.

“Deri tani janë realizuar seancat në: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Klinë, Prishtinë, Lipjan, Shtime dhe do të vazhdojmë këto ditë edhe në komunat: Fushë Kosovë, Graçanicë, Obiliq, Kamenicë, Rahovec, Suharekë, Vushtrri, Istog, Gjilan, derisa t’i mbulojmë të gjitha”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Aty, po ashtu, theksohet se përmes edukimit për mbrojtje, synohet aftësimi i fëmijëve dhe nxënësve “për sjelljet e mira e të shëndosha, në çdo nivel e rrethanë, si dhe shmangia nga konfliktet, rreziqet, si ato virtuale dhe reale”.

MASHTI, më herët, ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve “Udhëtimi nëpër internet” për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, e cila ofron “alternativa të përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme”.

Së voni, kjo ministri ka bërë të ditur se ka ndarë edhe buxhet për më shumë se 500 pozita të reja për psikologë, pedagogë dhe staf mbështetës për shkollat në Kosovë.

Qasja ndaj problemit

Psikologu Arënliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se vetëm punësimi i psikologëve dhe pedagogëve nuk e zgjidh problemin e nxënësve që mund të jenë viktima të sfidave të rrezikshme nga rrjetet sociale.

“Njerëzit që punojnë në terren, kanë nevojë për programe, kanë nevojë për intervenime sistematike, kanë nevojë për trajnime. Kjo është ajo pjesa ku ne ngecim”, thotë Arënliu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, është e domosdoshme që në shkolla të trajtohen edhe sfidat e shëndetit mendor, ndërsa kurikulat arsimore të përshtaten me nevojat e fëmijëve për edukim medial.

Alban Zeneli, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Departamenti i Gazetarisë i këtij institucioni avokon që nga viti 2009 që lënda Edukimi për Median të bëhet e obligueshme në shkollat e Kosovës.

Sipas tij, udhëzuesit e MASHTI-t lidhur me përdorimin e internetit kanë më shumë të bëjnë me aspektin teknik të përdorimit të tij, sesa me të kuptuarit e rreziqeve që burojnë nga platformat e ndryshme.

“Këto gjëra mësohen në mënyrë specifike te Edukimi për Media… Do të ndihmonte që fëmijët që kalojnë nëpër proces të mësimit, të jenë të vetëdijshëm për përmbajtjet që shohin, të zhvillojnë mendim kritik për përmbajtjen dhe në të njëjtën kohë të mos bien pre e këtyre sfidave ose problemeve që i lëndojnë ata, jo vetëm në kuptimin fizik”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Për sociologun Jeton Brajshori, situatën duhet ta marrin në duar vetë prindërit – së paku derisa institucionet kompetente të gjejnë mekanizma efektivë për parandalimin e ndikimit të përmbajtjeve të dëmshme nga rrjetet sociale.

Sipas tij, kontrolli i shtuar i prindërve ndaj qasjes së fëmijëve në rrjete sociale dhe në internet në përgjithësi, nuk e dëmton të drejtën e tyre për privatësi.

“Unë u them të gjithë prindërve që fëmija nën moshën 18-vjeçare nuk ka nevojë të ketë privatësi strikte. Nuk po themi që ata të kontrollohen për çdo gjë, por të kemi shumë kujdes, çfarë shikojnë në TikTok, me kë shoqërohen…”, thotë Brajshori për Radion Evropa e Lirë.

Ai, madje, sugjeron që TikTok-u të largohet tërësisht nga telefonat e fëmijëve.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe inxhinieri i teknologjisë në Kosovë, Ermal Sadiku.

Ai thotë se përmbajtjet e publikuara në TikTok janë më pak të kontrollueshme, në krahasim me rrjetet tjera sociale, të cilat kanë përdorim global.

Qasja e fëmijëve në këtë platformë e shton rrezikun që ata të ndikohen nga përmbajtjet e dëmshme, sipas tij.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se shumica e telefonave të mençur e kanë modulin e quajtur “kontrolli prindëror”, që u mundëson prindërve t’ua kufizojnë fëmijëve kohën në aplikacione të ndryshme në internet.

Por, përdorimi i këtij moduli, thotë Sadiku, është problematik për prindërit që nuk kanë njohuri mbi teknologjinë.

Ai sugjeron metodën që thotë se e praktikon vetë:

“Unë, personalisht, nuk i lejoj fëmijët e mi që të kenë një aplikacion të tillë të instaluar në telefon. Nuk është se kanë ndonjë përfitim, TikTok-u nuk ka përmbajtje edukative, shkencore… po flas për fëmijët”.

TikTok-u ka mbi 1.5 miliard përdorues aktivë mujorë në të gjithë botën.

Llogaritet se rreth 25 për qind e tyre janë 10 deri në 19 vjeç.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike, për shkak të, siç është thënë, rreziqeve kibernetike që paraqet kjo platformë.

Kufizime ndaj kësaj platforme, për shkak të shqetësimeve për sigurinë, kanë vendosur edhe shtete të tjera në botë./REL